Në takimin e organizuar nga Komisioni për Legjislacion,Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, u diskutua lidhur me Ligjin nr.03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike.
Të pranishëm në këtë takim ishin anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, si dhe përfaqësues nga institucionet zbatuese të ligjit dhe shoqëria civile.
Fillimisht kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i kësaj tryeze ka të bëjë me shqetësimet e vazhdueshme për mos transparencën dhe mos auditimin e financave të subjekteve politike. Ajo vlerësoi se duhet gjetur modalitete për këtë çështje, ndërkaq shtoi se është e domosdoshme që auditimi të bëhet në një mënyrë ndryshe.
Haxhiu tha se këtë çështje nuk duhet ta bëjë as Kuvendi dhe asnjë operator privat, por, sipas saj, institucioni kompetent që do të duhej ta bëjë pasqyrën e financave të subjekteve politike është Agjencia Kundër Korrupsionit, duke u bazuar në praktikat e Letonisë.
Ndërsa, Naser Osmani, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha se ligji në fjalë është bërë me kërkesën dhe insistimin e atëhershëm të autoriteteve të BE-së dhe se tashmë në praktikë kanë dalë probleme. Ai përmendi, me theks të veçantë, nenin 19 të këtij ligji, që ka të bëjë me sigurimin e auditorëve të licencuar që bëjnë auditimin e subjekteve politike. Osmani vlerësoi se duke qenë në dijeni se në Kosovë një numër i tillë i auditorëve të licencuar është vështirë të sigurohet, kjo çështje vazhdon të mbetet një problem i madh.
Osmani tha se duhet bërë një ligj më të mirë dhe më funksional, në mënyrë që subjektet e partive politike t’i kryejnë obligimet e tyre ligjore, ndërkaq sqaroi se në planin e punës së këtij viti të Komisionit të cilin e kryeson ai, është edhe monitorimi i këtij ligji. Ndërsa, përmendi edhe vendimin e komisionit që është bërë për rritjen e buxhetit për auditimin e subjekteve politike.
Faton Topalli, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka sqaruar procedurat që ka zhvilluar ky komision lidhur me këtë çështje, për katër vjet, ndërkaq përmendi edhe vendimin e fundit të Komisionit për kërkesën për inicimin e procedurave për Auditimin e raporteve për pasqyrat financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016.
Në vijim folën edhe deputetët: Selvije Halimi, Shqipe Pantina, Njomza Emini, Avdyl Ymeri, Ali Sadriu, Enver Hoti, Hajdar Beqaj dhe Synavere Rysha. Diskutimit për këtë çështje i kontribuuan edhe përfaqësues të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Komisionit Qendror Zgjedhor, Zyrës Kombëtare të Auditimit, UNDP-së, OSBE-së, KDI-së, Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Organizatës Çohu etj.
Pati sugjerime dhe propozime të ndryshme. Mes tjerash u propozua që të mbetet ligji aktual dhe të shtohet buxheti në këtë drejtim. Disa theksuan se kjo çështje duhet t’i kalojë në përgjegjësi KQZ-së, AKK-së apo ZAK-ut. Ndërsa, disa kërkuan që të formohet një grup pune i përbashkët nga tri komisionet parlamentare.
Krejtësisht në fund, kryetarja e Komisionit, Haxhiu, tha se Komisioni do të bëjë një përmbledhje të këtij diskutimi dhe më pas do të dilet me rekomandimet, si dhe do të formohet një grup pune i Komisionit për të adresuar këtë çështje sa më shpejt.