Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të varrimit të Papa Emeritus Benediktit XVI, e cila organizohet në sheshin “Shën Pjetri”, në Vatikan.
Gërvalla do të shoqërohet nga përfaqësuesi i presidentes së Republikës së Kosovës për Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se në këtë ceremoni do të jenë të pranishëm shumë liderë dhe delegacione të shteteve të ndryshme nga mbarë bota.
“Pjesëmarrja në këtë ceremoni e delegacionit zyrtar të Kosovës, dëshmon për respektin që Papë Benedikti XVI gëzon ndër qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe për kujdesin që Kosova u kushton tradicionalisht raporteve me Selinë e Shenjtë”, thuhet në njoftim.
Papa Benedikti XVI ndërroi jetë ditë më parë. Ai ishte njëri ndër teologët më të njohur në botë. Ai e udhëhoqi kishën katolike të Romës nga viti 2005 e deri më 2013, kur dha dorëheqje për shkak të problemeve shëndetësore.