Sjellja e emisarit Miroslav Lajçak në procesin e dialogut Kosovë – Serbi po shihet si problematike për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.
Abazi shpreson se në takimin e radhës në Bruksel, Lajçak të mos jetë i përfshirë.
“Shpresoj shumë që kësaj here në këtë proces nuk do të përfshihet fare Lajçak i cili mendoj që ka qenë në vazhdimësi problematik sa i përket informacionit që është bartur mes Kosovës dhe Serbisë. E them hapur dhe vazhdoj të them edhe shpresoj që Bislimi e ka kuptuar qartë një gjë të tillë dhe ndoshta niveli i diskutimit, është i paraqitjes, do të jetë në nivelin e argumentimeve ekipore dhe jo për brenda kornizave të cilat bëhen të qarta post mortum”, tha ai në “Ditari” në Tëvë1.
Tutje, kryetari i Komisionit Parlamentar për politikë të jashtme theksoi se Serbisë i është dhënë e drejta që të paraqitet në Bruksel si palë konstruktive, e në anën tjetër të jetë edhe përkrahëse e Rusisë.
“Sepse i ka dhënë një subjekti siç është Serbia, të drejtën që të paraqitet në Bruksel si palë konstruktive, negociuese, në anën tjetër të shtyejë vlera kriminale çfare i pamë ato në barrikada, edhe të jetë përkrahës i Rusisë. Këto gjëra nuk shkojnë në të njëjtën kohë”, shtoi ai.