Fenomeni i largimit të mjekëve jashtë vendit po kthehet në shqetësues në Kosovë. Pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës vazhdojnë të jenë shkaktarët kryesorë të këtij fenomeni që po e rrezikon shëndetësinë kosovare publike.
Vetëm në vitin 2022, 205 mjekë të rinj zgjodhën të largohen nga vendi për të ushtruar profesionin e tyre, jashtë kufinjve të Kosovës. Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu shprehet se kjo ka sjellë edhe ulje të ndërhyrjeve në shumë spitale të vendit.
Sejdiu: “Ky vit ka qenë me numrin më të madh tek mjekët e rinj që janë larguar jashtë Kosovës është 205, vitin e kaluar kanë qenë 159, do të thotë për 30-35% është rritur ky numër. Kurse, tek mjekët të cilët janë larguar nga sektori publik sipas informatave zyrtare është 59 po ne mendojmë se janë mbi 59 rreth 60, dhe vitin e kaluar ne sa kemi informata janë diku 10-12 që e kanë lëshuar. Anesteziologjia është ajo me numrin më të madh të cilëve janë larguar, janë lëndët kirurgjikale, duke filluar nga gjinekologjia e lëndë të tjera si dhe sa kemi informata në pediatri janë 3-4 që janë larguar dhe ajo më e komplikuara është anesteziologjia për shkak se të gjitha lëmit kirurgjikale ndërlidhen me funksionimin e asaj klinike, në të vërtet me numrin e anesteziologëve, prandaj edhe ka reflektuar në zvogëlimin e punës në këto klinika, rritjen e listës së pritjes”.
Kreu i OMK-së në Kosovë konsideron se me këtë trend të largimit të mjekëve, sistemi shëndetësor publik po rrezikon që në 5 vitet e ardhshme të mbetet pa mjekë. Pleurat Sejdiu e konsideron edhe më shqetësues largimin e specialistëve drejt sektorit privat në vend. Sejdiu thekson se nëse trendi i ikjes vazhdon pas 5 viteve do kemi krizë të madhe për mjekë.
“Këtë vit përveç numri që është rritur është ndërruar edhe renditja e arsyeve. Deri më tani ka qenë kushtet e punës, flas tek këta që janë larguar jashtë Kosovës në vendin e parë, pastaj kualiteti i specializimeve dhe në fund pagat. Kurse, në këtë vit e kemi një ndryshim në atë drejtim që del papunësia për shkak se ka shumë të papunë mjekë të rinj rreth 350, pastaj vjen pagat dhe në fund vijnë kushtet e punës. Kurse, sa i përket specialistët që largohen në sektorin publik janë kushtet e punës, presioni në punë dhe pagat. Nëse kështu vazhdon, ne kemi paraparë që brenda 5 viteve do ta kemi një krizë të madhe për mjekë, nëse largohen për 5 vitet e ardhshme 1 mijë mjekë dhe gjatë këtyre 5 viteve janë 700 që do të pensionohen dhe nuk e kemi idenë se sa do të largohen nga sektori privat sepse varet se sa do të investohet në publik atëherë mendoj që viti 2028 do jetë vit i krizës”, thekson kryetari i OMK-së.
Trendi i largimit të bluzave të bardha ka prekur edhe më shumë stafin infermier. Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi thotë se numri i atyre që po largohen është rritur me 80%.
“Këtë vit besoj diku, është 80% më i madh, arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kemi infermierë që ndoshta edhe pse është hap konkursi, është pranuar në punë ai nuk dëshiron të vazhdojë punën, për shkak të një page të dinjitetshme, qoftë për kushtet e punës apo edhe ndërrimet e natës. as nuk konkurron tash e tutje me ia bë edhe 1 mijë euro pagën por do të shkoj jashtë. Deri në këto momente kur po flasim është diku 633, vetëm këtë vit që i kemi ne të evidentuar se kjo shumë është shifër e saktë. Neve na ikin infermierët që ndoshta punojnë për 20 vite, 15 dhe këtu është problemi më i madh sepse ne kemi profile të caktuara qoftë infermierë që punojnë në Emergjencë, pastaj në Kujdesin Intensiv dhe këta nuk përgatiten brenda dy viteve, duhet të paktën 5 vite t’i kenë përvojë pune dhe ta kenë këtë rast një trajnim”, theksoi ai.
Në alarm për këtë situate janë vënë edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, të cilët vlerësojnë se me largimin e profesionistëve po rrezikohet shëndeti i banorëve të Kosovës.