Rritja e vazhdueshme e çmimeve për produktet bazike ka bërë që qytetarët e Kosovës të harxhojnë më pak për festat e fundvitit.
Pavarësisht se 18 për qind e popullsisë është në varfëri të plotë dhe 5 për qind e tyre në atë ekstreme, megjithatë kosovarët dalin se janë mjaftë meraklinjtë në festa, sidomos për ato të fundvitit, duke harxhuar rreth 30 milionë euro.
Sipas raportit “Shpenzimet e familjeve kosovare për festat e fundvitit, 2022”, i realizuar nga UBO Consulting, çdo familje në Kosovë shpenzon mesatarisht rreth 150 euro për këto festa.
Aty theksohet se familjet kosovare po shpenzojnë mesatarisht 0.2 milionë euro më pak se në fundvitin e 2021-së dhe rreth 3.1 milionë euro më pak se sa në fundvitin e 2020-së.
“Mesatarisht, familjet kosovare kane deklaruar që po shpenzojnë 146 euro për festat e fundvitit 2022, krahasuar me 156 euro në vitin 2021 dhe 139 euro në vitin 2020”, vijon raporti.
Në pyetjen se pse nuk festohet kjo festë, 83 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se nuk i përkojnë bindjeve të tyre.
Në pyetjen, a mendoni që vitin tjetër do të shpenzoni më shumë apo më pak, 60 për qind e qytetarëve janë shprehur se do harxhojnë njëjtë, 13 për qind më pak dhe 11 për qind më shumë.
Mbi gjysma e qytetarëve kanë thënë se kanë blerë produkte promocionale (nga zbritjet).
Në fund të raportit theksohet se 86 për qind e blerjeve bëhet nga periudha 25-31 dhjetor, ndërsa pjesa tjetër nga periudha 15-24 dhjetor.