Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje NATO-s që të rrisë numrin e forcave paqeruajtëse në Kosovë, pas tensioneve të fundit me Serbinë.
“Një rritje substanciale e ushtarëve të NATO-s dhe pajisjeve ushtarake në shtetin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane, Die Welte.
Në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, aktualisht janë mbi 3.700 trupa nga 27 shtete të botës.Forcat e NATO-s u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 me synim që të garantojnë sigurinë.
Së fundmi, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën, teksa disa banorë lokalë për 20 ditë me radhë vendosën barrikada në veri të Kosovës.
Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, i cili, sipas Prishtinës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Por, serbët vendosën të heqin barrikadat pasi Dejan Pantiçit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.
Po ashtu, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, gjatë një takimi në Rashkë të Serbisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, më 28 dhjetor deklaruan se kanë marrë garanci që kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.
Qeveria e Kosovës, gjatë kohës kur barrikadat ishin të ngritura, disa herë deklaroi se i kishte dhënë kohë KFOR-it që të hiqte barrikadat ose do t’i hiqte vetë./ REL