-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Sveçla: Situatën në veri e de-eskaluam me ndihmën e ndërkombëtarëve, por kjo është e përkohshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pret sërish provokime nga Serbia. Ai në një intervistë për mediumin zviceran, “20 minuten” tha se është i bindur se provokimet “nuk do të ndalen”.

Ndikimi i drejtpërdrejtë i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në tensionimin e situatës në veri të Kosovës, Sveçla thotë se “erdhi në formën e mobilizimit, financimit dhe mbështetjes logjistike”.

“Përveç kësaj, ishin forcat e armatosura serbe, të cilat ishin vendosur në kufi si kërcënim. Sigurisht që ka pasur ndikim edhe nga Rusia si dhe nga organizatat kriminale në rajon, të cilat për vite me radhë e kanë keqpërdorur veriun e Kosovës si pikë transporti për mallra, drogë, madje edhe njerëz dhe kanë mundur të nxjerrin fitime të mëdha. Të gjithë këta faktorë janë kombinuar për të destabilizuar jo vetëm veriun e Kosovës, por të gjithë vendin”, tha ai.

Sveçla thotë se heqja e barrikadave u arrit “me ndihmën e partnerëve”, por s’është shumë optimist për atë se çfarë do të ndodhë në vazhdim, përcjell Gazeta Express.

“Me ndihmën e partnerëve tanë, ne kemi arritur gjithashtu ta sjellim një de-eskalim, por bazuar në përvojën e kaluar kjo është padyshim vetëm e përkohshme”, tha ai.

Për situatën në veri të vendit, Sveçla thotë se “ishim dhe jemi të shqetësuar, por aspak të frikësuar”.

“Analiza e situatës bazohet në fakte dhe arsye ekzistuese. Por skenarët e paarsyeshëm nuk mund të përjashtohen plotësisht. Aktualisht jemi dëshmitarë të një lufte në Europë, në të cilën një despot ka ndjekur synime të errëta për Ukrainën dhe rajonin, duke kapërcyer vijat e kuqe që deri vonë dukeshin të paimagjinueshme”, shprehet Sveçla.

I pyetur se a dëshiron që palët ndërkombëtare të përfshihen më shumë në zgjidhjen e situatës në veri të vendit, Sveçla u përgjigj kështu:

“Të jemi të qartë: Serbia nuk është palë e punëve të brendshme në Kosovë, por më së shumti agresore. Serbia është palë vetëm në diskutimin për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Vetëm autoritetet e Kosovës janë kompetente për çështjet që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm të Kosovës. Kjo bëhet në partneritet dhe në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar”.

Ai tha se uron që Kosova “të ketë fqinjë vetëm shtete demokratike”, ndërsa foli për mungesën e demokracisë në Serbi.

Për situatën në veri, edhe një herë, Sveçla tha se është “i bindur se rendi dhe ligji së shpejti do të triumfojë edhe atje”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img