1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Mediat në Serbi shkruajnë për dhjetë gënjeshtrat më të mëdha të Vuçiqit në vitin 2022

Medalja e artë për gënjeshtarin e vitit i takoi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ashtu si në vitin 2021, shkruajnë mediat në Serbi. 

Deklarata se asnjëherë nuk ka premtuar se do të publikojë dy minutat e fshira të videos së aksidentit në afërsi të Doljevacit, ku mbeti e vdekur Stanika Gligorijeviq, mund të jetë e pavërteta më e madhe, por jo e vetmja që ka thënë i pari i shtetit serb.

Të tilla janë të shumta, dhe nova.rs ka veçuar dhjetë më kryesoret të vitit që po lëmë pas nesh.

Këtë herë, Vuçiq e fitoi këtë konkurs duke deklaruar se nuk ka premtuar se do të publikojë videon nga vendkalimi i Doljevacit.

Se ai nuk po thoshte të vërtetën, kjo vërtetohet lehtësisht.

Në gusht 2019, presidenti tha se “videoja është e tmerrshme dhe duke parë se po shprehni dyshime, do t’i lus, si president i republikës, organet kompetente shtetërore t’jua tregojnë”.

Pastaj tre vjet më vonë, ai tha “Unë nuk u kam premtuar qytetarëve të Serbisë, u kam thënë atyre që janë të interesuar dhe që kanë të drejtë ta bëjnë këtë”.

Po largohem nga kreu i SNS

Në listën e të pavërtetave të shprehura nga Presidenti i Serbisë, sigurisht se përfshihet edhe ajo se do të largohet nga drejtimi i partisë SNS.

Është e rëndësishme të theksohet se këto njoftime Vuçiq i ka bërë që nga viti 2017 dhe se deri më tani i ka paralajmëruar dhe shtyrë afërsisht 20 herë.

Fushata më e pastër në historinë e Serbisë

Në konferencën për shtyp në fund të ditës së zgjedhjeve më 3 prill, ai foli edhe për fushatën zgjedhore. Vuçiq pohoi se është shumë i lumtur dhe krenar se kjo ishte fushata më e pastër zgjedhore.

Në periudhën nga tetori 2021 deri në shkurt 2022, sipas konstatimeve të “Misionit të Vëzhgimit”, “ndryshe nga periudhat e mëparshme parazgjedhore dhe në rrethanat e parlamentit pa opozitë, institucionet shtetërore u përfshinë fuqishëm në zhvillimin e fushatës deri në momentin e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve”.

Qeveria në maj, qershor, gusht, tetor…

Një situatë të ngjashme kemi pasur edhe gjatë formimit të Qeverisë së Serbisë, pas zgjedhjeve të mbajtura në prill.

Vuçiq fillimisht njoftoi se konsultimet për formimin e qeverisë së re do të fillojnë në gjysmën e dytë të majit ose në fillim të qershorit. Më pas ai e zhvendosi afatin në korrik.

Kur zbuloi se Ana Brnabiq do të jetë sërish mandatare, tha se qeveria e re do të formohet për rreth njëzet ditë, që do të thotë në mes të gushtit. Dhe kështu edhe disa herë të tjera.

Qytetarët do të vendosin për Rio Tinto në një referendum

Projekti Rio Tinto thuhet se u pezullua, pas protestave dhe bllokimeve të rrugëve për shkak të Ligjit për Shpronësimin dhe Ligjit për Referendumin dhe Iniciativën Popullore. Megjithatë, herë pas here presidenti i Serbisë thotë se nënshtrimi ndaj presioneve të qytetarëve është gabimi i tij më i madh dhe se nuk është dashur të heqim dorë nga minierat e litiumit pasi do të fitonin miliarda euro. Ndërkohë nga Rio Tinto vijnë informacione se nuk heqin dorë nga ky projekt.

Çmimet në Gjermani

Ndërkohë që çmimet e ushqimeve bazë në Serbi shkuan shumë lartë, presidenti ngushëlloi qytetarët duke u thënë se “ne po jetojmë në bollëk”, ndërsa Evropa po ngrin dhe raftet e ushqimeve po u mbetën bosh. Sidomos në Gjermani.

Ndërsa ishte i ftuar në Pink TV në nëntor, Vuçiq nxori një fletore me çmime. “Çmimi i një litre nafte në Gjermani është ndërmjet 4,33 dhe 5,72 euro. Tek ne nga 1.8 deri në 1.87 euro – tre herë më pak”, tha Vuçiq, duke shtuar se buka në Gjermani është deri në pesë herë më e shtrenjtë dhe se çmimet janë dukshëm më të larta kur bëhet fjalë për kripën, miellin dhe sheqerin. Por, qytetarët shumë shpejt e demantuan duke publikuar foto dhe video në rrjete sociale të çmimeve dhe raftet nga Gjermania.

Po vjen periudha më e vështirë që nga viti 1944

Pas një prej takimeve me Patriarkun Porfiri, ai tha se Serbia është në një situatë shumë më të vështirë se sa duket, se “re të errëta gjenden mbi vendin tonë”, dhe se pas verës, ndoshta vjen periudha më e vështirë që nga viti 1944 e deri më sot. Ai ka kërkuar ndihmë nga Kisha Ortodokse Serbe që qytetarët ta kuptojnë pozitën në të cilën ndodhet vendi.

Për të kujtuar, viti 1944, të cilit Vuçiq i referohet, ishte viti në të cilin qytetarët kishin kufizime të ushqimeve bazë, inflacion të lartë, shteti morri kontrollin e konsumit, shfaqja e kontrabandës dhe radhët para dyqaneve.

Asnjë president nuk ishte në Jasenovac

Në korrik, presidentit Vuçiq iu ndalua të vizitojë Jasenovac. Me atë rast u tha një e pavërtetë tjetër.

“Askush si president nuk ka qenë ndonjëherë në Jasenovac”, tha Vuçiq në atë kohë.

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, e ka mohuar menjëherë dhe ka kujtuar se në vitin 2010 ishte në në Jasenovac, me rastin e 65 vjetorit të lirimit të të burgosurve.

I pari kërkoi nga KFOR-i që të kthejë ushtrinë serbe në Kosovë

Presidenti i Serbisë po ashtu u mburrë se ishte i pari që i dërgoi kërkesë KFOR-it për kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Mirëpo, këtë kërkesë e bëri në shkurt të vitit 2003 kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq, duke i dërguar një letër komandantit të atëhershëm të NATO-s për Evropën Juglindore, admiralit George Johnson, duke kërkuar kthimin e forcave serbe në Kosovë.

Vetëm tre veta e dimë 

Së fundmi, presidenti shpalli njoftoi për zbulimin e një thesari mineral.
“Ne kemi edhe kalcit edhe atë karbonat kalciumi. Kalciti më i pastërti në botë është në vendin tonë. Ndodhet diku tek hani i Gadza-s gjersa depozita e arit është në një vend tjetër. Vetëm tre prej nesh e dimë vendndodhjen e saktë”, tha Vuçiq.

Megjithatë, rezervat e kalcitit për të cilat ai foli për banorët e komunës Gadzin Han afër Nishit janë të njohura prej dekadash. Gjatë 30 viteve të fundit, herë pas here ndonjë nga menaxherët e komunës fliste për hapjen e një miniere në Malin e Suvas, në afërsi të fshatit Çelija.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img