-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Në Ditën e Veteranëve, Kurti kujton rrethimin e parë nga policia serbe të shtëpisë së Shaban Jasharit në Prekaz

Në Ditën e Veteranëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 30 dhjetorin e vitit 1991 kur policia serbe për herë të parë rrethoi shtëpinë e Shaban Jasharit në Prekaz, në kërkim të të birit të tij, Ademit.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “ashtu siç në vazhdimësi kujtojmë dëshmorët e rënë për çlirimin e Kosovës, sot kujtojmë shokët e tyre të gjallë, luftëtarët e lirisë që jetojnë mes nesh”.

“Sot është Dita e Veteranëve, e gjithë atyre që luftuan me armë në dorë, guxim në zemër dhe vullnet në mendje, për çlirim e bashkim, për të jetësuar Republikën e Kosovës, bashkë me ne, ka shkruar Kurti.

Më tej, Kurti ka thënë se “Kjo ditë përkon me 30 dhjetorin e vitit 1991, kur për herë të parë, policia serbe rrethoi shtëpitë e Shaban Jasharit në Prekaz, në kërkim të të birit të tij Ademit, që sapo ishte kthyer prej Shqipërisë pas stërvitjesh ushtarake. Ajo ditë e hënë e para 31 viteve, për Prekazin nisi në ora 05:15 të mëngjesit, me thirrjet e policisë serbe me megafon: ‘Dorëzohu Adem Jashari’. Por Ademi, bashkë me vëllezërit e tij Rifatin dhe Hamzën, e kishin ndarë mendjen me kohë, të luftonin kundër Serbisë pa kushte, deri në liri a vdekje. Luftimet e asaj dite mes policisë serbe dhe familjes Jashari si dhe shokëve që u erdhën në ndihmë, shënon fillimin e një kapitulli të ri, të një dekade rezistence të armatosur që do të përmbyllej më 1999 me çlirimin e Kosovës”.

“Ky aksion policor i Serbisë pushtuese e okupatore në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, rezultoi me 2 persona të plagosur, 14 familje të bastisura dhe 50 të arrestuar, nga të cilët 27 u mbajtën gjithë ditën. Mes tyre edhe Shaban Jashari, që u mbajt 48 orë në Qendrën e Sigurimit në Mitrovicë, ku u rrah dhe malltretua, siç duket edhe në këto fotografi të shkrepura nga fotoreporteri Ilaz Bylykbashi. Serbia e asaj kohe nuk e dinte dhe as që mund ta ketë parashikuar që Shaban Jashari dhe bijtë e tij, do të vazhdonin të jenë shpirti dhe trupi i asaj lëvizje të armatosur që u quajt Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjer në fund, deri në çlirimin e Kosovës”.

“Urime Dita e Veteranëve të gjithë luftëtarëve të paepur të lirisë!”, ka shkruar Kurti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img