7.3 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Me plis në kokë studentët e UP-së protestojnë për bojkotimin e produkteve serbe

Me plis në kokë dhe me pankartat, “Duaje tënden”, “Ata barrikadojnë rrugët, ne barrikadojmë ekonominë e tyre, “Mos e forconi armikun”, është mbajtur protestë paqësore “Bojkoto produktet serbe”, e cila u organizua nga studentët e Fakultetit të Edukimit.

Studentët derisa marshuan bënë thirrje nga të gjithë që t’i bojkotojnë këto produkte serbe. Sipas tyre duhet të ngrihet vetëdijesimi i popullit për të ndaluar blerjen e tyre dhe të konsumojnë produktet e vendit, kështu të fuqizohet ekonomia e Kosovës dhe jo ajo e Serbisë.

Laurita Terpeza, studente e Fakultetit të Edukimit, tha se duhet kujtuar atë që ka kaluar populli i Kosovës nga serbët, dhe të ndalohet së ushqyeri armiku i vendit.

“Arsyeja që kemi organizuar këtë marshim paqësor është që të kujtojmë atë që ka kaluar populli ynë, ku ne deri më tani kemi ushqyer armikun tonë me duart tona. Andaj, i bëj thirrje gjithë shqiptarëve anë mbanë botës të bojkotojnë produktet e serbëve. Më mirë të rrinë pa ngrënë se të ushqehemi nga helmi i tyre. Më mirë të fokusohemi te produktet vendore, të fuqizojmë shtetin tonë, ushtrinë tonë dhe jo atë të serbëve”, theksoi Terpeza.

Yllëza Murtezi, po ashtu studente në Universitetin e Prishtinës, tha se patriotizmi në liri është që të bojkotohen produktet serbe, pasi sipas saj me blerjen e tyre po fuqizohet Serbia.

“Blerja e produkteve serbe qon në fuqizimin e një shteti që përveç se kërcënon me luftë, po mundohet që edhe simbolet e trashëgimitë tona të na marrë e përvetësojë për vete. Patriotizmi në luftë që të dalim e të luftojmë për t’i dalë në krahë atdheut, ndërsa patriotizmi në liri është që të bojkotojmë produktet me barikod 860, ne ju bëjmë thirrje popullit tonë të bojkotojnë produktet serbe e të mos vrasin vetveten me paratë tone dhe mos të fuqizojmë shtetin armik. Historia qe harrohet përsëritet”, tha Murtezi.

Alketa Rrahimi, studente në Fakultetin e Edukimit, tha se për ta ndihmuar Kosovën duhet bojkotimi i produkteve serbe. Sipas saj me blerjen e tyre po financohet ushtria serbe.

“Lirinë e paguam shtrenjtë e sot kjo liri prapë po kërkon çmimin e saj. Vendi ynë është ngritur mbi gjakun e këtij populli e eshtrat e tyre janë themel i këtij vendi. U mësuam mes krismash të flasim shqip, të ja themi këngës shqip, të mësojmë e ligjërojmë shqip. Sa shumë na kushtoi shqipja, sa shumë kushtoi Kosova. Kosova meriton t’i falësh jetë, t’i falësh gjak e mund dhe mundin e djersës tënde lëre në Kosovë, ndihmoje Kosovën të bëhet ashtu siç i ka hije. Lufto në mënyrën tënde, bojkoto produktet serbe dhe mos ua financo ushtrinë”, tha Rrahimi./kp/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img