Një krim i tmerrshëm ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin Iconium të Turqisë , ku një 54-vjeçar sirian ka vrarë me thikë dy vajzat e tij të mitura.
Sipas raportimeve, Yusuf al-Ahmed vrau me thikë 17-vjeçaren Kevsher dhe 15-vjeçaren Merveh, pasi mes tyre shpërtheu një sherr në shtëpinë e tyre në bodrum.
54-vjeçari me origjinë nga Siria, menjëherë pas krimit të rëndë ka shkuar në polici dhe është vetëdorëzuar.
Menjëherë ekipet e policisë janë nisur drejt banesës së familjes për të zbardhur vendin e krimit. Aty kanë gjetur trupat e pajetë të dy vajzave të mitura, të cilat më pas u dërguan në morgun e spitalit për autopsi.
Mësohet se në momentin e vrasjes mizore ndodheshin në shtëpi fëmija më i vogël dhe një i afërm i familjes, ndërsa nëna e vajzave mësohet se ishte zhdukur.
Sipas informacioneve, 54-vjeçari Jusuf ka deklaruar në dëshminë e tij se “ne u grindëm për çështjen e nderit dhe unë humba veten”. Kur ka ardhur në vete dhe ka kuptuar se çfarë kishte bërë duke parë të vdekura dy vajzat e tij, ka shkuar në polici, ku ka rrëfyer dhe është dorëzuar./Prishtinapress/