Fabio Capello beson se Lionel Messi është në të njëjtin nivel me dy legjendat e futbollit, Pele dhe Diego Armando Maradona.
Trajneri italian së fundmi dha një intervistë për “Il Corriere della Sera”, ku mes tjerash foli edhe për sulmuesin e Paris Saint-Germainit, transmeton Gazeta Express.
Capello u pyet se “a është Messi në të njëjtin nivel me Maradonan pas triumfit të Argjentinës në Kupën e Botës?”.
Kurse, përgjigja e 76-vjeçarit ishte: “Për mua, ai ishte në të njëjtin nivel edhe para Kupës së Botës. Pele, Messi dhe Maradona bënë gjëra që të tjerët as nuk mund t’i imagjinonin”.
Ish-trajneri i shumë skuadrave të mëdha evropiane gjithashtu u pyet edhe nëse “Deschamps gaboi që nuk e përfshiu Karim Benzeman në ndeshjen finale”.
“Jo, unë bëra të njëjtën gjë me Savicevic përpara finales së Kupës Ndërkontinentale në vitit 1993,” tha Capello.
“Në mëngjesin e ditës së lojës, ai më tha se ishte gati të luante pasi kisha përgatitur gjithçka me Raducioiu. Për respekt, nuk e lashë të luante. Mendova se ishte një vendim i drejtë për ekipin. Pyetja e paqartë mbetet se ‘a do të kishin fituar Milani dhe Franca një trofe më shumë me Savicevic dhe Benzema?’ Ndoshta, po”, deklaroi Fabio Capello.