Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka vendsur të flas për aktvitetin e tij të mëhershëm në kuadër të aksionit për pajtimin e gjaqeve.
Në një intervistë për “Epokën e re“, pikërisht në 27 vjetorin e nisjes së këtij aksioni, ai ka dhënë detaje rreth këtij aksioni. “Duke i parë demonstratat vetëm si fazë kalimtare, edhe për shkak të vrasjeve dhe plagosjeve të shumta të demonstruesve paqësorë, përgjithësisht dhunës dhe arrestimeve që po ndodhnin; duke pasur bindjen se vetëm me demonstrata paqësore nuk mund ta mbanim popullin gjatë të bashkuar; duke qenë të vetëdijshëm se një ditë do të jemi të detyruar ta organizonim edhe luftën çlirimtare, kemi vendosur të fillojmë këtë aksion, në shenjë parapërgatitjeje”, ka thënë ai në këtë intervistë.
Grabovci, ka treguar edhe për kontaktet me Ibrahim Rugovën, akademik Rexhep Qosjen, plakun e urtë, Anton Çetta, dhe Zekerija Canën.
Ai ka thënë se Xhemajl Fetahu, krahas pjesëmarrjes në pajtimin e gjaqeve, kishte detyra konkrete të karakterit organizativ dhe logjistik ushtarak.
“Detyra të tilla, krahas Xhemës, luftëtarit të përkushtuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, i rënë heroikisht, më 31 maj 1999, në betejën e Kosharës, kishin marrë përsipër edhe bashkëveprimtarë të tjerë. Do ta veçoja me këtë rast, po ashtu, edhe mikun tim, gjeneralin Skënder Çeku, heroin e betejës së Loxhës, ku edhe ra heroikisht më 17 gusht 1998. Organizimet e tyre u shndërruan më pastaj në njësi të para të UÇK-së”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Grabovci ka treguar se pjesa dërrmuese e familjeve që shtrinë dorën e pajtimit, që falën gjaqet, plagët dhe ngatërresat gjatë vitit 1990, janë bashkuar në Lëvizjen e Pajtimit e, më pas, edhe në luftën çlirimtare.
“Gjatë kohës së luftës, kam pasur raste të shpeshta, çaste të paharrueshme, shumë emocionale, kur më ka rënë të takoj dhe t’i kem bashkëluftëtarë në radhët e UÇK-së ata, djemtë dhe vajzat e tyre”, është shprehur Grabovci, duke bërë me dije se së shpejti një nga nismëtarët e Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve do të botojë libër.