Me 7 dhjetor të këtij viti në Komisionin për Buxhet, deputetët e pushtetit në krye me Armend Mujën kishin votuar kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti.
Ani pse nuk u votua, kjo nismë shkon në Kuvendin e Kosovës pa përkrahjen e këtij komisioni.
Iniciuesi i nismës për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, Adnan Jashari thotë se ky projektligj mund të shtyhet për vitin 2023.
Jashari tha se prioritet i Qeverisë është Ligji i Pagave, jo tërheqja e Trustit.
“Si shkak i vonesave dhe sipas agjendës së Kuvendit, po vërehet që prioritet është Ligji i Pagave prandaj ka gjasa që të shtyhet për vitin e ardhshëm”, theksoi Jashari.
Jashari ka thënë se afatet ligjore prej momentit kur është shqyrtuar në Komision për Buxhet, janë dy deri në katër javë që të dërgohet për shqyrtim në Kuvend.
Por ai tha se nuk ka asnjë informatë se çfarë po ndodh me këtë nismë.
“Projektligji për Trustin ka mbetur të trajtohet në Kuvend, afatet ligjore pas trajtimit në komision janë dy javë deri 4 javë, por si zakonisht po vonohen procedurat dhe afatet ligjore. Ne shpresojmë që të trajtohet sa më shpejt në Kuvend, deri më tani nuk kemi informacione se kur mund të mbahet seanca plenare për projektligjin në fjale”, u shpreh Jashari për Front Online.
Për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti të shtunën e kaluar në Prishtinë është mbajtur edhe protestë ku u kërkua që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti./Prishtinapress/