Ligjvënësit amerikanë prezantuan më 20 dhjetor një projektligj, ku në paketën e shpenzimeve prej 1.7 trilionë dollarësh, përfshihen rreth 45 miliardë dollarë ndihmë urgjente për Ukrainën.
Nëse projektligji miratohet, kjo do të ishte ndihma më e madhe amerikane për ukrainasit. Votimi pritet të bëhet para mesnatës së 23 dhjetorit, sipas kohës lokale.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i kishte kërkuar Kongresit në nëntor, që të sigurojë më shumë se 37 miliardë dollarë ndihmë urgjente për këtë shtet.
Dhjetori është koha kur Kongresi amerikan ndanë buxhetin për vitin pasues, dhe nëse kërkesa për ndihmë aprovohet, ajo do të jetë pjesë e paketës për mbështetjen e Qeverisë ukrainase deri në shtatorin e vitit 2023.
Në fillim të nëntorit, SHBA-ja tha se do të dërgojë në Ukrainë ndihmë të re ushtarake në vlerë prej 400 milionë dollarësh.
Pothuasje dyfishi i kësaj shume, 725 milionë dollarë, ishte ndihma që ju dha Ukrainës nga SHBA-ja në fillim të tetorit.
Në po këtë muaj, NATO njoftoi se do të dërgojë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore dhe ndihmë tjetër ushtarake për Ukrainën, në mënyrë që Kievi të mbrohet nga sulmet ajrore ruse që po godasin të gjithë vendin.
Në Ukrainë luftimet e ashpra po vazhdojnë në Donjeck, teksa forcat ruse vazhduan sulmet e tyre në lindje.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të qëndrojë në Uashington të mërkurën për t’u takuar presidentin Joe Biden.
Ky është udhëtimi i tij i parë jashtë vendit, që kur nisi nga pushtimi rus në shkurt.
Pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka kaluar ditën e 300-të./REL