11.3 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Krasniqi: Marrëveshja Kosovë – Serbi pa njohje të ndërsjellë mund të çojë në status-quo të re

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes të përgjithshme me Serbinë e cila çon në njohjen e ndërsjellë.

“Në mënyrë të thjeshtë, duhet të jetë pjesë e marrëveshjes të përgjithshme e cila rezulton me njohjen e ndërsjellë. Asociacioni edhe kur është diskutuar asnjëherë nuk është diskutuar që të ketë kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk është diskutuar dhe as kërkuar që të ketë çfarëdo lloj karakteri që del jashtë Kushtetutës së Kosovës”.

“Asociacioni nëse themelohet dhe ai duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme që rezulton me njohje të ndërsjellë, duhet të jetë një grumbullim i kompetencave ekzistuese brenda Kushtetutës së Kosovës, të cilat mund të modelohen për t’iu dhënë një siguri që e kërkojnë komuniteti serb në Kosovë. Unë besoj se vizioni i institucioneve, qeverisë dhe i Kosovës duhet të jetë jo se çka kërkon Serbia por çka kërkojnë qytetarët e komunitetit serb të Kosovës dhe nëse kjo është qasja unë besoj që do të jetë më e lehtë që të arrihet deri te ai moment ku modelohet edhe Asociacioni brenda Kushtetutës së Kosovës por gjithsesi brenda një pakoje, një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse obligative për të gjithë që rezulton me njohjen e ndërsjellë”.

Ai tha se propozimi evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje pa njohje, nuk mund të jetë i pranueshëm sepse do të mund të krijonte një status-quo të re.

“Në fakt është ndryshimi më substancial i disa viteve të fundit. Është e hera e parë që shohim një koncentrim dhe dakordim të të gjitha palëve perëndimore duke përfshirë Evropën, shtetet kryesore evropiane Gjermaninë, Francën por po ashtu edhe Mbretërinë e Bashkuar, Italinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë të tjerë, pra ka një mbështetje për të pasur një proces, për të shkuar përpara, për të arritur një marrëveshje që tashmë quhet marrëveshja bazë”.

“Kjo nuk është marrëveshje finale, unë këtu e kam shqetësimin themelor, nëse kjo marrëveshje do të arsyetohej si një marrëveshje bazë pa një termin të caktuar apo datë për marrëveshjen finale druaj se krejt çfarë do të ndodhë është krijimi i një status-quoje të re e cila mund të jetë më e favorshme në disa elemente për Kosovën por nuk do të zgjidhë problemet që kemi me Serbinë e të cilat unë konsideroj që domosdoshmërisht duhet të jenë të zgjidhura për të mos ia lënë këtë gjeneratave pasuese”.

Në intervistën për Zërin e Amerikës, Krasniqi tha se bllokadat aktuale në veriun e Kosovë janë vendosur para së gjithash për ta penguar procesin e bisedimeve Kosovë Serbi për një marrëveshje përfundimtare.

“Situata në pjesën veriore të Kosovës është jashtëzakonisht problematike, ka një përkeqësim të gjendjes sidomos pas vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale, të cilat janë të kontrolluara dhe orkestruara drejtpërdrejtë nga qarqet më të larta në Serbi, duke përfshirë edhe vet presidentin (Aleksandar) Vuçiç. Ka një tensionim të situatës dhe nga të gjitha informacionet që marrim këto ditë, shihet se nuk ka një zgjidhje të lehtë dhe nuk duket se mund të ketë një përmirësim dhe një kthim në normalitet shumë shpejt, kjo është shumë shqetësuese”, tha Krasniqi./VOA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img