4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Gabimi me ushtrinë dhe çfarë duhet bërë për të përmirësuar pozicionin e jashtëm të Kosovës

Nga Adri Nurellari

Provokimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës si ndërtimi i murit në Mitrovicë, rifreskimi i mandateve të arrestit që sollën ndalimin e ish-kryeministrit Haradinaj, si dhe nisja e trenit poshtërues rus, kanë alarmuar gjithë opinionin publik shqiptar dhe sjellë në qendër të vëmendjes nevojën për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ajo që e ka shtuar më tepër këtë ndjesi kushtrimi është fakti që Bashkimi Evropian nuk po ushtron ndonjë presion ndaj Serbisë pas këtyre veprimeve dhe pas zvarritjes së zbatimit të marrëveshjeve që ka nënshkruar.  Deklarata se çështja e trenit është mes Prishtinës dhe Beogradit, është vetëm një dëshmi e radhës e neglizhencës ndaj rolit të marrë përsipër prej evropianëve si dhe një ilustrim i qasjes me standarde të vështira. Brexit-i dhe konsolidimi i forcave euroskeptike të ekstremit të djathtë lë të mendohet se kjo situatë veç do të përkeqësohet. Paralelisht rotacioni i pushtetit në SHBA dhe qasja izolacioniste e Trump-it ngre akoma më shumë pikëpyetje dhe pasiguri për mbështetjen amerikane ndaj nesh. Të gjitha këto shërbejnë si një paralajmërim që në të ardhmen do të na duhet të llogarisim më pak tek ndihma e Brukselit dhe të marrim më shumë përsipër për veten tonë.

Prandaj ka ardhur koha që të shkëputemi nga debati i ngushtë partiak i përditshëm e të flasim për një objektiv madhor, pra për interesin kombëtar të sigurisë së Kosovës dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar; të nxjerrim mësim nga pësimet dhe të shqyrtojmë me mendje të kthjellët mundësitë që ka Kosova për të forcuar pozicionin e saj.

Së pari duhet të reflektojmë mbi shansin e humbur në vitin 2014 për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe të ndërgjegjësohemi të gjithë që interesat e ngushta partiake kurrsesi nuk duhet të vendosen mbi interesat shtetërorë të Kosovës. Në fillim të vitit 2014 qeveria mori vendimin për çuarjen në kuvend të paketës ligjore që mundësonte formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe pak kohë më pas Gjykata Kushtetuese konfirmoi përputhshmërinë me Kushtetutën të kësaj nisme. Ai ka qenë një moment jashtëzakonisht i volitshëm për të ndërmarrë këtë hap pasi faktori ndërkombëtar jepte mbështetje të plotë, sepse njëherazi qeveria kishte përmbushur kërkesën e ndërkombëtarëve për zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe për nisjen e formimit të Gjykatës Speciale. Po ashtu deputetët e pakicës serbe asokohe ishin shumë më bashkëpunues me Prishtinën dhe më të dëgjueshëm ndaj ndërkombëtarëve, pra më të prirë për të votuar pro. Në prill të vitit 2014 parti të opozitës refuzuan që t’ua përmbushnin pakicave kërkesën për vendet e rezervuara me të cilën kushtëzuan votën për transformimin e FSK-së në ushtri. Moskalimi i ushtrisë shërbeu edhe si shkaku kryesor i shpërndarjes së parlamentit.

Qëndrimi i deputetëve serbë ndryshoi në mënyrë dramatike në zgjedhjet e atij viti, pasi për herë të parë u përfshinë në votime serbët e veriut të cilët ishin tradicionalisht më radikalë kundër Kosovës. Për më tepër Beogradi ndikoi në krijimin e forcës politike Lista serbe, e cila morri shumicën dërrmuese të votave serbe duke transformuar tërësisht qasjen e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu ngërçi dhe përplasjet politike që pasuan e dëmtuan edhe më shumë pozicionin e Kosovës përkundrejt ndërkombëtarëve. Shkaku kryesor që e shtyu opozitën që mos ta votojë ushtrinë duhet të ketë qenë synimi për të penguar kryeministrin e kohës, Hashim Thaçin, që të merrte meritat e rrjedhimisht kreditet elektorale, për arritjen e një aspirate të shumëkërkuar sikurse është formimi i ushtrisë. Shkak gjithashtu ka qenë edhe frika se PDK-ja mund të formomnte një mazhorancë të re nëpërmjet ulëseve të rezervuara që iu shtoheshin pakicës. Gjithsesi cilido të ishte shkaku apo interesi i ngushtë partiak, dëmi për Kosovën është i pallogaritshëm, humbi një mundësi ideale për t’u bërë me forca të armatosura.

Më tutje duhen marrë në analizë cilët janë faktorët e brendshëm që forcojnë pozicionin e jashtëm të Kosovës në mënyrë që të jepet kontribut më i madh nga të gjithë aktorët politikë në vend. Padyshim që kur flitet për faktorët e brendshëm që ndikojnë në politikën e jashtme, mendja menjëherë të shkon tek fuqia ushtarake që lidhet me numrin e ushtarëve, numri i tankeve, i avionëve, i anijeve, i grykave të artilerisë dhe cilësia e tyre, sistemit të inteligjencës, përgatitja dhe morali i ushtarakëve, mbështetja logjistike, fortifikimet etj. Gabimi i sipërpërmendur që humbi edhe mundësinë për t’i krijuar Forcat e Armatosura të Kosovës nuk duhet kurrsesi të përsëritet më dhe së paku për sektorin e sigurisë do të duhet në të ardhmen që të gjitha palët në Kosovë të japin mbështetje në mënyrë të verbër pa pyetur për kostot e ngushta partiake. Po ashtu mund të ndërmerren nisma qeveritare konkrete për të nxitur zhvillimin e industrisë së armatimeve apo të kompanive që ofrojnë shërbime në fushën e sigurisë si për shembull duke eleminuar taksat për investimet në këtë fushë ose duke ofruar troje publike pa kosto. Kuptohet që të gjitha këto lidhen ngushtë me buxhetin që i dedikohet sigurisë, pra me zhvillimin ekonomik të një vendi.

Ekonomia është faktor vendimtar në peshën e një vendi duke patur parasysh këtu tregues si prodhimi i brendshëm bruto, të ardhurat për frymë, bilanci tregtar, niveli i thithjes së investimeve të huaja apo struktura ekonomike për të cilat duhet thënë se Kosova lë goxha për të dëshiruar. As që mund të mendohet se Kosova do të konsolidojë pozicionin e vet në arenën ndërkombëtare, pa patur rritje domethënëse ekonomike. Prandaj përqendrimi në një agjendë të qartë zhvillimore nuk duhet parë vetëm si një nevojë e shoqërisë për të pasur mirëqenie por edhe një objektiv strategjik parësor për të gjithë. Mirëpo e kundërta ka rezultuar të jetë të jetë e vërtetë, politikat zhvillimore janë anashkaluar si pasojë e mbetjes peng të debatit politik në çështje të së kaluarës dhe gjuha e urrejtjes etnike dhe ndërpartiake. Po ashtu zhvillimi ka ngelur peng e mbeturinave ideologjike etatistë socialiste të cilat dekurajojnë biznesin privat dhe pengojnë investimet strategjike të huaja sikurse qe përpjekja për privatizimin e Telekomit. Klima politike e tensionuar dhe dhuna e papërmbajtur me gazlotsjellës dhe molotovë e ka nxirë imazhin ndërkombëtar të Kosovës duke e bërë një vend aspak atraktiv për investitorë të huaj, duke i dekurajuar ata, sikurse edhe ndodhi me projektin e Brezovicës. Imazhi i çdo vendi gjithashtu lidhet ngushtë me suksesin ekonomik të këtij vendi, sepse prek jo vetëm investimet e huaja por edhe promovimin e eksporteve, tërheqjen e turistëve apo mundësimin e ujdive ekonomike ndërkombëtare të leverdisshme të qeverisë apo tregtarëve e sipërmarrësve të një vendi.

Kur flitet për ekonomi nuk mund të mos përmendet edhe rëndësia e shkencës dhe e teknologjisë sot në marrëdhënie ndërkombëtare. Fal avancimit në teknologji është bërë e mundur të kompensohen disa mangësi në faktorë të tjerrë, që kanë të bëjnë me vendodhjen, distancat, komunikimin, mangësia e burimeve natyrore apo e numrave në sferën ushtarake. Pak vështirë që të flitet në Kosovë sot për avancim të teknologjisë e shkencës kur testi PISA na nxorri në fund të listës së vendeve të përfshira.

Përmasat janë elementë kyç të domethënies së një shteti në arenën ndërkombëtare duke patur parasysh ekonominë, sasinë e popullsisë si dhe kapacitetet ushtarake. Kuptohet që në këto aspekte Kosova lë shumë për të dëshiruar dhe ngelet shumë për të bërë në rritjen ekonomike dhe bashkë me të në ngritjen e strukturës së sigurisë. Vendndodhja gjeografike është një tjetër element që përcakton forcën apo peshën e shtetit, duke patur parasysh elemente të favorshme për Kosovën si pozicionimi në qendër të Evropës, rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Ka edhe dimension dizavantazhues që është mungesa e daljes në det që kufizon ndërveprimin ndërkombëtar. Sot në botë ka gjithsej 43 shtete që nuk kanë qasje në det ku 15 janë në Afrikë, 14 në Evropë, 12 në Azi dhe  në Amerikë Latine. Mirëpo për ta lehtësuar këtë problem Republika e Shqipërisë mund të luajë një rol kyç duke bërë një traktat dypalësh me Republikën e Kosovës për kalim të lirë drejt detit nëpërmjet territorit të saj. Bolivia e ka bërë një marrëveshje të këtij lloji me Argjentinën që në vitin 1937 për lirinë e tranzitit në rrugë tokësore dhe mandej marrëveshja është zgjeruar në dekadat e tjera duke përfshirë mundësimin e zonës së lirë për bolivianët në portet argjentinase të Barranqueras, San Nicholas dhe Rosario. Një marrëveshje të tillë ka bërë Nepali, i izoluar me Indinë në vitin 1960 që përfshin jo vetëm të drejtën e tranzitit të lirë por edhe mundësimin e zotërimit të institucioneve të doganave dhe hapësirave magazinuese në portin e Kalkutës. Në vitin 1963 një marrëveshje të ngjashme ka bërë edhe Mali me Senegalin në Afrikë duke i dhënë qasje të lirë në infrastrukturën portuale të portit të Dakarit.

Këtu mund të shtohet se ekziston prej vitit 1921 një marrëveshje shumëpalëshe e quajtur Deklarata që u njeh të drejtën e flamurit detar shteteve pa bregdet, pra një praktikë shumë e hershme që shtetet që janë në brendësi të kontinentit të kenë flotën e tyre tregtare që lundron nëpër botë me flamurin e e tyre shtetëror.  Kosova mund të ndjekë modelin e shumë shteteve që nuk kanë dalje në det, si Austria, Zvicra, Luksemburgu, Laosi, Paraguaji, Sllovakia etj. Flotën e saj tregtare e ka edhe Mongolia ndërkohë që kryeqyteti Ulanbator është 1300 kilometra larg bregdetit dhe sot renditet në vendin e 68-të për sa i përket madhësisë duke lënë pas Republikën e Shqipërisë, Malit të Zi apo Bullgarisë që kanë bregdet të bollshëm. Pra ekziston një mundësi e mirë që Kosova jo vetëm të ketë dalje në det por edhe të ketë një flamur që valvitet nëpër detërat dhe oqeanet e globit duke konsoliduar pozicionin dhe prezencën ndërkombëtare. Kjo mund të jetë një temë që mund të trajtohet në mbledhjet e ardhshme të përbashkëta mes dy qeverive tona.

Burimet natyrore sidomos kur bëhet fjalë për pasuri energjitike si nafta, gazi, qymyri, metalet e çmuara, uranium etj. mund të bëjnë diferencën për sa i përket forcës së shtetit. Ato shtete që kanë mangësi të burimeve natyrore janë më të brishta dhe më të varura nga ndikimet e jashtme prej vendeve që i kanë me bollëk dhe eksportojnë këto burime ndërkohë që shtetet që kanë vetëmjaftueshmëri për këto burime janë më të pavarur e me autoritet. Kosova ka një varësi nga Serbia për sa i përket rrymës elektrike dhe është e pafalshme që Kosova ende nuk ka vënë në jetë termocentralin e ri të shumëpërfolur elektrike për të shfrytëzuar pasurinë jashtëzakonisht të madhe të linjitit që ka dhe për të mundësuar rrjedhimisht pavarësinë energjitike.

Pesha e një vendi dhe politika e jashtme nuk mund të analizohen po qe se nuk merret në konsideratë edhe dimensioni social i një vendi dhe periudha e fundit e tensionuar në Kosovë e ka brejtur atë kohezionin e brendshëm social që mundësojnë sukses në politikën e jashtme. Për dy vite me radhë tashmë, debati politik në vend është karakterizuar nga përpjekje të vazhdueshme për të mbjellë urrejtje e përçarje duke degraduar madje në sulme fizike dhe një klimë tensioni e fragmentimi në shoqëri që kuptohet ka pasur reflektim edhe në politikën e jashtme dhe e ka projektuar Kosovën si shtet afër dështimit. Si pasojë e negativitetit të kultivuar në këtë periudhë që ka rrëzuar moralin dhe vetëbesimin e shoqërisë, është ndërtuar një atmosferë pothuaj depresive në vend që ka çuar shumë qytetarë që të humbasin besimin tek e ardhmja e vendit e të vendosin që ta braktisin në rastin më të parë që u jepet.

Tensioni dhe instabiliteti politik i brendshëm i ka dhënë një kosto të jashtëzakonshme Kosovës jashtë duke zënë për muaj me radhë faqet e para të gazetave anembanë botës dhe duke ushqyer pretendimet e armiqve tanë që deklarojnë se Kosova është shtet i dështuar. Në epokën e sotme nuk ka asnjë dyshim që shtetet që kanë më shumë reputacion e influencë janë ata që kanë stabilitet politik. Pra janë shtetet ku mbizotëron respekti për procedurat demokratike e që i zgjidhin mosmarrëveshjet me rrugë institucionale, në frymën e ligjit e nëpërmjet dialogut e kompromisit.

Kur flitet për mungesë të kohezionit social dhe të unitetit në qëndrime politike të partive dhe në bindje të opinionit publik, me rëndësi është të vihet në dukje dobësimi që i shkaktohet Kosovës në rolin e saj si aktor ndërkombëtar kur vjen puna tek disa parime bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare.  Një nga këta është parashikueshmëria, e cila është cenuar nga fakti që një pjesë e forcave politike zotohen se do të ndalin procesin e dialogut apo edhe zhvleftësojnë marrëveshjet e deritanishme.

Po ashtu, imazhi si shtet serioz është vënë në pikëpyetje në kushtet kur pengohet dhunshëm përmbushja e obligimeve të ndërmarra nga Kosova nëpërmjet marrëveshjeve. Pretendimet e opozitës për demarkacionin janë në fakt pretendime territoriale ndaj shtetit fqinj, gjë që cenon drejtpërdrejtë imazhin ndërkombëtar të Kosovës e cila po përpiqet të integrohet në komunitetin ndërkombëtar duke dëshmuar se është një shtet paqedashës që kultivon fqinjësi të mirë dhe respekton të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të tjera. Po ashtu, qëndrimi agresiv ndaj marrëveshjes me Malin e Zi si dhe mungesa e distancimit të plotë prej ngjarjes së rëndë të Kumanovës i kanë dhënë armiqve të Kosovës argumente më shumë për ta njollosur shtetin tonë të ri si burim konfliktesh dhe pasigurie për rajonin.

Lista e faktorëve që forcojnë shtetin e Kosovës në sferën e politikës së jashtme të cilat janë në duar të aktorëve të brendshëm politik mund të zgjatet goxha më tutje edhe me elementë të tjerë dytësorë. Mirëpo e rëndësishme është të kuptohet se politika e jashtme është gjithnjë e më shumë e ndërlidhur me politikën e brendshme dhe se të gjithë aktorët politik në vend kanë rol e përgjegjësi për gjendjen dhe peshën ndërkombëtare të Kosovës. Të gjitha këto faktorë të përmendur të brendshëm ndikues në politikën e jashtme si ushtria, ekonomia, dimensionet gjeografike, sociale dhe politike etj., janë mundësi të humbura për Kosovën nëse të gjitha palët në Kosovë nuk koordinohen e nuk veprojnë në harmoni për t’i përmirësuar dhe shfrytëzuar në maksimum për interesat shtetërore.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img