11.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Nevenka Tromp: Serbia ka filluar një rrugë tjetër për ta destabilizuar Kosovën

Serbia ka filluar një rrugë tjetër paralele për të destabilizuar Kosovën dhe për të krijuar më shumë kaos, thotë në një intervistë për KosovaPress, Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit.

Tromp thotë se Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga territori i Kosovës.

Duke komentuar zhvillimet në veri të vendit, ku serbët kanë vendosur barrikada, Tromp thekson se Serbia do të provojë të keqpërdorë çdo situatë politike që të përfitojë nga veriu i Kosovës.

“Serbia tani ka filluar një rrugë tjetër paralele për të destabilizuar Kosovën dhe për të krijuar më shumë kaos në atë mënyrë që puna e vështirë që është bërë prej më shumë se 10 vjetësh, që nga viti 2008 e tutje,të përmbyset. Dhe ajo për të cilën po flas është fakti që serbët e Kosovës shkonin në zgjedhje në të kaluarën, serbët e Kosovës morën pjesë në pushtetin ekzekutiv, dhe tani puna shumë e vështirë që është bërë deri tani është sfiduar dhe mund të zhbëhet, dhe gjithçka që tani po ndodh thjesht destabilizon arritjet e Kosovës që nga viti 2008, dhe fatkeqësisht fakti që gjykata (Speciale) ka nxjerrë aktgjykimin e saj të parë dhe fakti që pala kosovare shqiptare ka bashkëpunuar me gjykatën dhe po e mbështet akoma, pavarësisht mangësive të saj, nuk mundet, absolutisht nuk mundet të kompensojë shumë çështje të hapura politike që Serbia çdo herë shtron në tavolinë sepse Serbia kurrë nuk ka hequr dorë nga territori i Kosovës, dhe Serbia të paktën do të përpiqet të përdorë dhe abuzojë çdo situatë politike për të kërkuar që së paku veriu i Kosovës dhe Asociacioni i komuniteteve serbe të jenë realisht të bashkuar me pronat serbe”, thotë Tromp.

Ekspertja e çështjeve të Ballkanit, pohon se Kosova duhet të ekzistojë në kufijtë aktual shtetërorë që posedon.

“Ne jemi në këtë udhëkryq shumë të rëndësishëm, dhe është e vështirë të shihet se pas vitit 2008, një periudhë e njëfarë shprese për stabilizim, tani jemi kthyer për të luftuar gjërat themelore. A mund të ekzistojë Kosova në kufijtë e saj aktualë shtetërorë? Përgjigja padyshim është se mundet dhe duhet të ekzistojë, por destabilizimi dhe krijimi i paqëndrueshmërisë së përhershme do ta bëjë rimëkëmbjen e Kosovës dhe rrugës së Kosovës drejt BE-së më shumë më të vështirë seç duhet të ishte normalisht”, shton ajo.

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, thotë se politikanët kosovarë që kanë mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale e kanë bërë këtë në mënyrë që Serbia të mos ketë argumente kundër Kosovës. 

Por, sipas saj, Serbia e ka braktisur rrugën e përgjegjësisë.

“Një nga argumentet për të formuar Dhomat e Specializuara të Kosovës, para vitit 2015, ishte se krijimi i një strukture të tillë ligjore që do të merrej edhe me krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në fakt duhet të jetë element i rëndësishëm në këtë rrugë të qetësimit të Serbisë në një fazë të caktuar duke e njohur statusin e Kosovës si shtet i pavarur, dhe mendoj se shumë nga politikanët tuaj që lobonin në kuvendin e Kosovës për konstituimin e kësaj gjykate, të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Holandës, e kishin këtë qëllim politik në mendje. ‘Ne do të bëjmë gjithçka që komuniteti ndërkombëtar kërkon nga ne sepse duam të tregojmë se i përkasim botës civilizuese të demokracive të zhvilluar dhe llogaridhënies, dhe drejtësia është pjesë e saj’. Dhe ata e bënë këtë sepse donin që Serbia në një moment të caktuar të mos kishte më argumente, që të mos thoshte më ‘por Kosova nuk e bën këtë, Kosova nuk e bëri atë’. Megjithatë, gjykata është themeluar, aktakuzat e para janë ngritur, por Serbia tashmë ka braktisur plotësisht këtë rrugë të përgjegjësisë. Serbisë i mjafton tani që disa liderë të shquar të UÇK-së janë të arrestuar në Hagë në pritje të gjykimit”, thotë ajo.

Gjykata Speciale të premten ka shpallur aktgjykimin e parë për pretendimet për krime lufte dhe ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa u dënua më 26 vjet burgim.

“Ka shumë probleme në këtë përmbledhje të gjykimit, dhe përsëri duhet të shohim se çfarë do të ndodhë më pas, por para së gjithash mendoj se çfarë tregon ky gjykim, gjykimi i Salih Mustafës, apo çfarë përmbledhja e këtij gjykimi i tregon botës është se ata përsëri thonë: ‘shikoni, të gjashtë viktimat në gjyqin e Salih Mustafës janë shqiptarë të Kosovës, ata që ishin parashikuar të ishin tradhtarë apo bashkëpunëtorë, dhe deri më tani nuk ka viktima serbe’, pra ata në mes të rreshtave pothuajse thonë se është në rregull, së është në të vërtetë gjykata kundër autorëve të dyshuar shqiptarë të Kosovës për vuajtjet e viktimave të shqiptarëve të Kosovës të ashtuquajturit autorë të krimit”, thotë ajo.

Ajo përmend disa nga problemet që sipas saj e kanë përcjellë këtë rast.

 “Dhe një nga shqetësimet me të mëdha që kam kur lexoj aktakuzën e Salih Mustafës, apo një aktakuzë të një nga të paditurve të tjerë, 5 prej të cilëve janë ende atje duke pritur për gjykim, është se nëse e lexon njërën nga aktakuzat dhe një gjykim përmbledhës nuk e ke idenë se për çfarë lloj konflikti bëhet fjalë, aty nuk ka kontekstualizim. Pse kishte nevojë për qendrën e paraburgimit të improvizuar në këtë zonë, në zonën e Zllashit, sepse papritmas ata po dërgonin forca serbe dhe ata u desh të braktisin qendrën e paraburgimit dhe lanë pas një nga të arrestuarit e plagosur, por nuk e kuptojnë se në çfarë lloj rrethanash kjo po ndodhte, dhe mendoj se do të përsëritet në mënyrën e paraqitur tani gjatë gjykimit dhe në gjykim, do të na mohohet thjesht të kuptojmë peshën e luftës shumë më të madhe dhe krimeve shumë më të mëdha që ndodhin në të njëjtën kohë, dhe ishte një kontekst i forcave serbe, forcave të policisë ushtarake që ishin të zëna që nga 24 marsi për të kryer një fushatë të madhe gjithëpërfshirëse ushtarake për të dëbuar sa më shumë shqiptarë të Kosovës nga Kosova, për ta mbajtur Kosovën nën kontroll, asnjë edhe një fjalë kontekstualizimi të luftës nuk mund ta lexonim në aktakuzë apo në prova apo në aktgjykimin përmbledhës. Kjo mendoj se është një mangësi e madhe dhe nuk duhet të funksionojë kështu ligji”, thotë Tromp.

Edhe në seancën e shpalljes të aktgjykimit, trupi gjykues tha se gjykata nuk është kundër UÇK-së.

Kryegjykatësja Mappie Veldt Foglia tha se gjykata është krijuar nga populli i Kosovës, përmes institucionit të Kuvendit.

“Nëse e lexon gjykimin përmbledhës, kryetari i trupit gjykues duhej të përdorte dy-tre paragrafë për t’i vërtetuar dhe thënë botës se cila është ligjshmëria e legjitimitetit të gjykatës, pra në thelb ajo që ata thonë është ‘Ne jemi gjykata që ju populli i Kosovës e keni dashur dhe e keni bërë këtë gjykatë për parlamentin tuaj, dhe për shkak se ju e dëshironit ne po e bëjmë këtë për ju, ne jemi gjykata juaj’, dhe pastaj ata thonë ‘ne nuk jemi këtu për të gjykuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-në, ne nuk jemi këtu për të gjykuar popullin e Kosovës, sepse ne do të përqendrohemi vetëm në individë’ dhe pastaj për çfarëdo gjykimi, ata thonë ‘kishim probleme të mëdha sepse dëshmitarët ishin problematikë, sepse merrnin kërcënime gjatë gjithë kohës’, pra, që në fillim gjyqtarët dhe gjykata gjejnë të gjitha arsyet për ta mbuluar/arsyetuar veten e tyre dhe për të shpjeguar se ‘në fakt, është në rregull që ne jemi këtu, ndoshta do t’ju zhgënjejmë, por ne kemi bazë të mirë’. Gjykata nuk duhet të arsyetojë veten, gjykata duhet të veprojë si autoritet ligjor dhe të merret vetëm me çështjet që ka përpara, dhe çështja kryesore para çdo gjykate dhe gjyqtari është i pandehuri, personi më i rëndësishëm në të gjithë këtë gjykim duhet të jetë z. Mustafa, sepse është jeta e tij që është në rrezik, të drejtat e tij dhe drejtësia e gjykimit të tij me të cilat duhet të merren më së shumti gjyqtarët, dhe jo të merren me imazhin e tyre publik që ata do ta shfaqin duke e ditur që në fakt që numri i viteve të burgut për z. Mustafa në fund mund të përballet me një kritikë të madhe në Kosovë. Pra, kjo gjykatë dhe këta gjyqtarë janë shumë të zënë me veten e tyre, me imazhin e gjykatës, dhe kjo e largon vëmendjen e tyre nga i pandehuri”, thotë Tromp./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img