Finalja e madhe e Kupës së Botës “Katar 2022” do të zhvillohet në pasditën e sotme në “Lusail Iconic Stadium”, ku Argjentina do të ndeshet me kampionin në fuqi të botës, Francën për epitetin e më të mirës në botës.
“Gjelat” që e fituan këtë kompeticion edhe në vitin 2018 në Rusi, arritën në finale pasi eliminuan Marokun me rezultat të pastër, 2:0.
Nga ana tjetër, Argjentina që e kërkon me ngulm prej vitesh këtë trofe për Lionel Messin, preku finalen pasi mundi bindshëm Kroacinë me rezultat 3:0 në fazën gjysmëfinale.
Messi, shtatë-herë fitues i “Topit të Artë” e synon ta ngrisë lart këtë trofe sot, pasi titujt tjerë të mundshëm në karrierë, i ka fituar të gjitha.
Kurse, Franca dëshiron ta përsërisë suksesin e vitit 2018, duke e fituar për herë të dytë radhazi këtë kompeticion madhor.
Tek Argjentina, Marcos Acuna dhe Gonzalo Montiel që munguan në gjysmëfinale shkaku i kartonëve, sot janë në dispozicionin e trajnerit Lionel Scaloni.
Ndëkaq, Alejandro Gomez ende nuk ështv i gatshëm dhe mund të mos luajë sot.
Te Franca, situata është më e komplikuar pasi Dayot Upamecano, Adrien Rabiot dhe Kingsley Coman kanë pasur problem me një grip, dhe mbetet të shihet nëse do të luajnë.
Formacioni i mundshëm i Argjentinës: E. Martinez; Molina, Romero, Otamendi, Acuna; De Paul, Fernandez, Mac Allister; Di Maria, Messi, Alvarez
Formacioni i mundshëm i Francës: Lloris; Kounde, Varane, Upamecano, T. Hernandez; Tchouameni, Rabiot; Dembele, Griezmann, Mbappe; Giroud./Prishtinapress/