7.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

SHBA mirëpret vendimin e Gjykatës Speciale ndaj Salih Mustafës: Ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK’së apo Kosovës

Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili është dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte.

Gjykata Speciale, me seli në Hagë, funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Më konkretisht, Mustafa është dënuar për vrasje të paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar.

Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se vendimi i marrë nga Gjykata Speciale, më 16 dhjetor, është një hap që i ndihmon Kosovës për të garantuar sundim të ligjit dhe për të vënë drejtësi për viktimat.

“Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme”, ka thënë Price në një komunikatë për media.

Vendimi ndaj Mustafës përbën aktvendimin e parë të Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara (emri zyrtar i Gjykatës Speciale), vuajtja e dënimit me burgim bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Edhe ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale, Alex Whiting, e ka mirëpritur vendimin ndaj Mustafës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dënimi ndaj Mustafës është vendim “indinjues”.

Sipas tij, është “e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal”.

Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi dhe Shala dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta.

Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi të senatorit zviceran, DickMarty.

Në atë raport janë përmendur krimet e pretenduara në Kosovë./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img