Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se, kjo mënyrë e Qeverisë e ka unifikuar bashkësinë ndërkombëtare me Serbinë dhe se, tensionet në Veri po shërbejnë si katalizator për Asociacionin.
Kështu ka deklaruar Molliqaj në Facebook, ku ka shtuar edhe se, kur kompromisi bëhet nën tension nuk flitet më për lëshimet, por për rrezikun që i shpëtuam.
Postimi i plotë:
Tension për Asociacion
Si matet suksesi i ndërhyrjes policore? Me elektrizim të situatës, me likes dhe me sharje në facebook, apo me përmbajtje më të mirë në marrëveshjet e arritura.
Në hyrje të Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës kemi shkruar parrullat që janë edhe racionalja e re e dialogut. Ata duhet ta dinë që po i shohim dhe tashmë janë bërë të lexueshëm.
Me 21 nëntor rreth çështjes së targave tensioni tejkaloi kufijtë deri në eskalim. Polici, heronj, sovranitet – dokrra. Me 23 kemi nënshkruar marrëveshje edhe më të dobët sesa ajo e para 2 ditëve. Pas gjithë atij tensioni, në marrëveshjen që nënshkroi Bislimi, e pranuam shtyerjen pa afat të targave, por edhe Asociacionin.
E njëjta gjë ndodhi me zgjedhjet në Veri. Konjufca në Prishtinë fliste për shtyerjen e zgjedhjeve, ndërkohë në Veri me armë zjarri u plagos polici Ekrem Neziri. Nëse zgjedhjet u shtyen, kujt i shërbeu tensionimi. Kryeministrit sigurisht.
Tensioni deri në situatë të jashtëzakonshme është racionalja e re e dialogut. Është mënyra e re e koncesioneve. Kur kompromisi bëhet nën tension nuk flitet më për lëshimet, por për rrezikun që i shpëtuam.
Tensionet kaotike, joserioze dhe të pamenduara në Veri e kanë pasur edhe një efekt. Nëse Veriun e vendit e trajton vetëm me hekur dhe kerbaç, ky është argument për formimin e Asociacionit. Kjo mënyrë e Qeverisë e ka unifikuar bashkësinë ndërkombëtare me Serbinë. Tensionet në Veri po shërbejnë si katalizator për Asociacionin./Prishtinapress/