Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se është në interesin e Gjermanisë dhe Evropës që vendet e mbetura të Ballkanit t’i bashkohen Bashkimit Evropian.
Duke folur në Parlament përpara një samiti njëditor të bllokut prej 27 vendeve në Bruksel, Scholz përshëndeti ringjalljen e bisedimeve për pranimin në BE të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në muajt e fundit dhe vendimin këtë javë për t’i dhënë Bosnjës statusin e kandidatit, transmeton Klan Kosova.
“Është në interesin tonë gjerman dhe evropian që pjesa tjetër e Ballkanit të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian,” u tha ai ligjvënësve në Berlin.
Scholz vlerësoi gjithashtu vendimin për të lejuar Kroacinë t’i bashkohet zonës evropiane të udhëtimit pa kontrolle identiteti dhe tha se Bullgaria dhe Rumania duhet “të ndjekin së shpejti”.
Austria deri më tani ka bllokuar ofertën e dy vendeve për t’u bashkuar me të ashtuquajturën zonë Shengen.
Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca sot kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian./Prishtinapress/