Zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachana e ka cilësuar shqetësuese situatën në veri të Kosovës. Ajo ka apeluar për ndalim të dhunës dhe prishje të rendit publik.
Në intervistën për ABC, ajo ka thënë se barrikadat e vendosura nga serbët në veri duhet të largohen menjëherë.
“Gjatë ditëve të fundit, kemi parë një përshkallëzim me një sërë sulmesh, duke përfshirë kundër Policisë së Kosovës, një patrulle vëzhguese të EULEX-it dhe gazetarëve. Gjatë këtyre ditëve, gjithashtu kemi qenë dëshmitarë të një pranie shqetësuese të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara. Kjo është e papranueshme. Prishja e rendit publik dhe dhuna duhet të ndalen tani”, ka deklaruar ajo për Televizionin.
“Gjithashtu, ne ishim dëshmitarë të ngritjes së barrikadave. Siç ka thënë Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Borrell, ato duhet të largohen menjëherë. Më e rëndësishmja tani është që situata të çtensionohet menjëherë, të rivendoset qetësia dhe të ketë përmbajtje nga veprimet tjera provokuese. Kjo është para së gjithash në të mirën e popullatës lokale, qetësia dhe siguria e së cilës janë në rrezik për shkak të situatës aktuale. EULEX-i do të vazhdojë të kontribuojë për qetësinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë si dhe Misioni do të vazhdojë që të monitorojë për së afërmi situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, ka shtuar ajo.
Konflikti në veri u përshkallëzua kur disa serbë në veri të Kosovës, që nga data 10 dhjetor ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Sulmet ndodhën teksa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviç, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues të tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor. Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, i shtyu ato për në 23 prill të vitit të ardhshëm. Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.