Vjosa Osmani, Presidentja e Kosovës, është në pritje të raportit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që më pas të marrë vendim që të shtyjë ose jo zgjedhjet në katër komunat në veri
‘’Presidentja Osmani dje e ka shpjeguar procedurën që ndiqet në raste të tilla. Ne jemi në pritje të raportit nga KQZ-ja’’, tha për IndeksOnline, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri të Kosovës janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor.
Mirëpo si pasojë e situatës së tensionuar në veri këto zgjedhje nuk dihet ende a do të mbahen.
Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut u shpallën pasi kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, dhanë dorëheqje në nëntor.
Osmani deklaroi më 8 dhjetor se do të trajtojë çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve, nëse një kërkesë të tillë e bën KQZ-ja. Ajo po ashtu tha se do të marrë raporte vlerësuese për situatën e sigurisë në veri nga autoritetet kompetente.
“Brenda dy-tri ditësh do të qartësohet çështja e shtyrjes apo jo të zgjedhjeve në veri të Kosovës”, tha presidentja. Osmani tha se shtyrja e zgjedhjeve mund të bëhet vetëm pas konsultimeve me partitë politike.