1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

BE: Zgjedhjet të mbahen vetëm nëse ka kushte paqësore

Bashkimi Evropian nuk ka kërkuar shtyrje të zgjedhjeve në Veri, siç bëri ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, por është bërë thirrje që ato të mbahen vetëm pasi të ketë siguri se ekzistojnë kushtet paqësore për mbarëvajtje të procesit zgjedhor.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se “duhet të merren parasysh të gjithë faktorët e sigurisë”.

“Kur shqyrtohet organizimi i zgjedhjeve të pjesshme në veri, autoritetet e Kosovës duhet të marrin parasysh me kujdes të gjithë faktorët e sigurisë, administrativë dhe politik, për të siguruar që zgjedhjet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të mbahen vetëm në kushte paqësore”, pohoi Stano.

Ai ka deklaruar gjithashtu se BE dënon “sulmet e dhunshme në veri të Kosovës”.

“BE u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues dhe të rivendosin qetësinë menjëherë”, thuhet në fund të deklarimit të Stanos për AP.

Ndryshe nga BE që nuk kërkon shtyrje, por kushte paqësore për zgjedhje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë të bindura që ato kushte nuk bëhen dot.

“SHBA-të janë të shqetësuara që nuk ka kushte në këtë kohë për mbajtjen e zgjedhjeve këtë muaj në Veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Presim nga të gjithë të përfshirët të përmbahen”, thuhet në cicërimën e ambasadorit.

Ndryshe nga ambasadori amerikan, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është i bindur që Kosova ka kapacitetet e mjaftueshme që të organizojë zgjedhje në Veri.

“Unë jam i bindur që policia ka kapacitet e nevojshme të garantojë të gjitha proceset demokratike në Kosovë. Për më shumë, normalisht që janë institucionet përgjegjëse, presidenca, KQZ që përgatit planin dhe pastaj i drejtohet presidentes, për çfarëdo lloj alternative që ata prezantojnë”, tha Sveçla në konferencë për media.

Kapaciteti për të cilin flet ministri nuk u shpërfaq shumë të martën, kur zyrtarët zgjedhorë komunalë, përkundër se nën përcjellje të policisë, nuk u lejuan të zhvillojnë punën në zyrat e tyre.

Të mbledhur para zyrave, turma njerëzish, mes tyre të maskuar, penguan procesin e punës.

Pati edhe të shtëna armësh e hedhje të shok-bombave.

Pos tjerash, ishin hedhur edhe dy granata dore. Njërën prej tyre, u desh ta çaktivizojë ekipi i specializuar i KFOR-it.

Bomba ishte hedhur në një nga këto zyra, por nuk shpërtheu.

Nga Komisioni Qendror Zgjedhor i kanë treguar AP-së se aktualisht zyrtarët zgjedhorë komunalë, meqë e kanë të pamundur të kthehen në zyrat e tyre në Veri, po e zhvillojnë punën online./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img