Rrjeti i OJQ-ve AVONET, si monitoruese dhe hulumtuese e institucioneve të Republikës së Kosovës ka ngritur shqetësimin për keqpërdorim, keq menaxhim dhe mos përgjegjësinë në Ministrisë së Shëndetësisë.
Në një reagim të AVONET thuhet se dyshimet për keq menaxhimin dhe keqpërdorimin në Ministrinë e Shëndetësisë, i vërteton Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2019-2020, si mekanizëm kontrollues i institucioneve. Madje kërkojnë nga Prokuroria e Shtetit, e në këtë rast Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj të filloj hetimet lidhur me të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Reagimi i Plotë i AVONET:
Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Shëndetësisë për Vitin 2019, kishte identifikuar çështjen A4 – “Ndryshimi i sasive të paramasës për kontratat jo kornizë pa aprovimin e ZKA-së” me gjetjen:
Sipas nenit 61.23 të rregullave dhe udhëzuesit operativ për prokurimin publik “Ndryshimi i kontratës nuk do t’i lëshohet OE para marrjes së aprovimit nga ZKA’’. Aty ku ndryshohet kontrata me qëllim të ndryshimit të termave dhe kushteve fillestare, ndryshimi i kontratës do të përgatitet nga departamenti i prokurimit. Ndryshimet e sasive lejohen te kontratat kornizë. Ne kemi vërejtur se te kontrata jo kornizë “Ndërrimi i dyerve të sallave të Emergjencës dhe renovimi i Pritores së Emergjencës në QKUK’’ në vlerë 114,217€, u janë ndryshuar sasitë e realizuara nëpër disa pozicione, duke i rritur/zvogëluar sasinë e kontraktuar, por pa ndryshuar çmimin total të kontratës. Nga gjithsej 100 pozicione sa ishin në kontratë 23 janë ndryshuar. Aprovimet për këto ndryshime nuk ishin marrur nga ZKA por vetëm nga menaxheri i kontratës.
Kjo gjetje ka ndikim siç thuhet në raportin e auditimit se: “Ndryshimi i paramasës dhe parallogarisë së kontraktuar pa aprovimin e ZKA-së shpërfaqë dobësitë e kontratës dhe kontrollet e ushtruara nga menaxhmenti i lartë”.
Po ashtu në këtë raport të auditimit për vitin 2019, kishte paraqitur çështjen B1 -“Realizim i ulët i projekteve kapitale dhe furnizimeve me mallra e shërbime” me gjetjen:
“Sipas buxhetit final për vitin 2019, Ministria kishte fonde për të realizuar 26 projekte kapitale në vlerë prej 11,097,774€ dhe për furnizim me mallra e shërbime (gjysma e buxhetit për furnizim me barna) 19,897,701€”. Ku auditorët kishin identifikuar se:
Niveli i shpenzimeve të projekteve kapitale ishte 58% në raport me buxhetin final. Nga 26 projektet e planifikuara 5 prej tyre nuk kishin shpenzime, përderisa 6 projekte kishin realizimin nga 3 deri 40%. Arsyeja e nivelit të ulët të realizimit të projekteve ishte planifikimi i dobët i projekteve dhe futja e projekteve në ligj të buxhetit, pa ndonjë analizë paraprake të mirëfilltë të projekteve. Po ashtu, kishte edhe raste kur janë ndërprerë kontratat me OE si pasojë e mos kryerjes së punëve sipas kontratës; dhe
Niveli i shpenzimeve të mallrave e shërbimeve ishte 51% në raport me buxhetin final. Nga buxheti prej 10.3 milion€ për blerjen e barnave për nivelin parësor12 shëndetësor ishin shpenzuar vetëm 5.4 mil€. Furnizimi me barna nuk ishte realizuar si rezultat i vonesave në fillimin e procedurave, ankesat në OSHP si dhe vonesat në nënshkrim të kontratave.
Kjo gjetje ka ndikim siç thuhet në raportin e auditimit se: “Niveli i ulët i realizimit të projekteve dhe furnizimit me barnave rezulton në shfrytëzim joefikas të burimeve në dispozicion dhe e gjithë kjo ndikon në mos arritjen e objektivave të parapara dhe rrjedhimisht edhe në cilësinë dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”.
Ministria kishte bërë pagesa nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve në shumë prej 580,000 euro, si rezultat i buxhetimit të gabuar, gjithashtu ministria ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë prej 539,402 euro në kategori jo adekuate si pasojë e vendimit të qeverisë për angazhimin e stafit shëndetësor, në lidhje me menaxhimin e situatës së COVID-19, këto të gjetura i kishte identifikuar Auditori i Përgjithshëm në “Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Shëndetësisë për Vitin 2020.”
Në raportin e Auditimit për vitin 2020 ishte nxjerr çështja A3 – “Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim dhe shpallja e tenderit për projekt kapital në kundërshtim me Ligjin e Buxhetit”, me gjetjen:
“Sipas nenit 35 pika 2.1 (iii) të Ligjit për Prokurim Publik, procedura e negociuar pa publik aplikohet në rastet e emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme, të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues.“
Gjithashtu sipas nenit 12.7 të Ligjit mbi ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës:
“Organizata buxhetore nuk duhet të shpallë tender për një projekt kapital të aprovuar në tabelat3.2 , 3.2.B dhe 4.2 pas datës 31 tetor 2020 për shpenzim potencial në vitin fiskal 2020, përveç nëse ato shpenzime janë planifikuar për atë projekt kapital edhe për vitet vijuese, të specifikuar në tabelat 3.2, 3.2.B dhe 4.2.”
Procedura “Projektimi dhe Mbikëqyrja profesionale e projektit të Klinikes Emergjente në QKUK – Adaptimi i objektit për nevoja të Covid 19” ishte zhvilluar përmes procedurës së negociuar pa publikim dhe kishte rezultuar me dy kontrata në vlerë totale për dy lote379,950€. Loti 1 për projektim ishte nënshkruar dhe paguar në vlerë 189,992€ ndërsa loti 2 për mbikëqyrje ishte nënshkruar në vlerë 189,958€ e cila nuk është realizuar. Tenderi për zbatimin e kësaj procedure “Adaptimi i Klinikës se re Emergjente për nevoja të Covid-19” në vlerë të parashikuar 18,683,463€ ishte publikuar më datë 23.12.2020 dhe e njëjta ishte anuluar para hapjes së ofertave për arsye se me miratimin e buxhetit për vitin 2021 nuk është paraparë buxhet për këtë projekt.
Raporti i Auditorit ka identifikuar në çështjen A4 –“Dobësi në menaxhimin e barnave” , me gjetjen:Ministria e Shëndetësisë kryen blerjen e barnave për nivelin parësor dhe është përgjegjëse për menaxhimin e tyre. Gjatë ekzaminimit fizik, në depon qendrore të barnave të Ministrisë së Shëndetësisë kemi vërejtur barna me afat të skaduar në vlerë 36,261€(insulinë 14,220 copë). Sipas zyrtarëve të Divizionit të Farmacisë në ministri barnat nuk janë shpërndarë në mungesë të kërkesës nga njësia kërkuese. Skadimi i afatit të barnave ka ndikuar në humbje financiare për ministrinë, gjithashtu do të ketë kosto shtesë në asgjësimin e tyre.
Andaj sipas këtyre të gjeturave që janë identifikuar në Raportet e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Shëndetësisë për Vitin 2019 dhe 2020, përgjegjësia i takon Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe për këtë në raportin e auditimit janë theksuar edhe Përgjegjësitë e Menaxhmentit dhe të organeve drejtuese/qeverisëse për pasqyrat financiare vjetore, që:
“Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës për përgatitjen dhe prezantimin e drejtë të Pasqyrave Financiare sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit në Sektorin Publik – Raportimi Financiar bazuar në Kontabilitetin e Parasë së Gatshme poashtu, Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës edhe për vendosjen e kontrolleve të brendshme, të cilat i përcakton si të nevojshme për të mundësuar përgatitjen e Pasqyrave Financiare, pa keq deklarime materiale të shkaktuara, qoftë nga mashtrimi apo gabimi. Kjo përfshinë përmbushjen e kërkesave që burojnë nga Ligji nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe Rregullorja nr. 01/2017 për Raportim Vjetor Financiar nga Organizata Buxhetore”.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka ndërmarr masa dhe ka lejuar të dëmtohet buxheti i Republikës së Kosovës, i njejti dyshohet për mos menaxhimin e mirë të financave publike, që po ashtu janë të përcaktuar përgjegjësitë në Rregulloren me nr. 01/2017. E këto të gjetura sipas AVONET-it dyshohen se janë veprime që janë të sanksionuara me nenin 414; Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar të KODIT PENAL TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS me NR. 06/L-074.
Kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit, e në këtë rast Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj të filloj hetimet lidhur me të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.