Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, me të cilin kanë diskutuar për situatën aktuale politike në vend, zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit, duke përfshirë procesin zgjedhor të caktuar për fundin e këtij muaji.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi është shprehur se ambasadorit Guérot i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e ofruar nga Franca në procedurën lidhur me vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në këtë takim, Krasniqi ka përsëritur pikat e propozuara nga PDK për marrëveshjen finale të dialogut Kosovë-Serbi.
“Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues, njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë, marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë – duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje”, shkruan kreu i PDK-së.
Ndërkaq, ambasadori francez ka uruar Krasniqin për anëtarësimin e partisë së tij në ALDE.
“Po ashtu, gjatë këtij takimi pranova urimet e ambasadorit francez për anëtarësimin e PDK-së në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), i cili e konsideron këtë si një hap të rëndësishëm në procesin reformues të nisur nga partia jonë”, shkruan Krasniqi.