Të paktën 47 persona, përfshirë 10 fëmijë dhe një çift i sapomartuar, u vranë kur një kamion që mbante mysafirët e një dasme doli jashtë rrugës dhe u zhyt në një lum në Madagaskar.
Policia tha se aksidenti ka ndodhur të shtunën në mëngjes jashtë qytetit Anjozorobe, rreth 90 kilometra nga kryeqyteti.
Kamioni po transportonte udhëtarët të cilët kishin marrë pjesë në dasmë një ditë më parë. Njëzetedy persona të tjerë u plagosën. Policia ka fajësuar shoferin për bartjen e aq shumë pasagjerëve në një kamion i cili është i predispozuar për t’u përdorur vetëm për bartjen e mallrave, transmeton KosovaPress.