Kryetari i Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale, Blerim Shabani, ka njoftuar se qe tetë muaj i kanë adresuar Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, një letër me pasqyrimin e situatës në shërbimet sociale në QPS-të, mirëpo ai nuk ka pranuar të takohet e t’i diskutojnë këto tema me ta.
“Në emër të Lidhja e Qendrave për Punë Sociale Kosovë si kryetar i saj dhe më kërkesë të kabinetit të Ministrit Murati i kemi adresuar një letër me pasqyrimin e situatës në shërbimet sociale në QPS-të e Kosovës para disa muajsh. Pas 8 (tetë) muajsh Ministri nuk ka pasë kohë të takohet e t’i diskutojmë këto tema. Adresimi e gjetja e zgjidhjeve duhet të bëhet me veprime e vendime konkrete e jo me deklarata në FB”, ka thënë Blerim Shabani.
Tutje Shabani ka shtuar se disa nga temat që i kanë adresuar tek Ministri Murati, është e përfshirë edhe sfidat në banim social për viktimat e dhunës në familje, por që, nuk kanë marrë përgjigjje nga ai.
Derisa, Kryeministri Albin Kurti gjatë mbrëmjes së sotme ka thënë se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë duhet të japë dorëheqje.
“I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, ka shkruar Kurti.
Kujtojmë se mbrëmë rreth orës 18:00 në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, me tre plumba është vrarë gruaja shtazëzëne me inicialet H. M., nga një person që dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i saj S. H. dhe i cili ende nuk është arrestuar.
Postimi i plotë i kryetarit të Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale, Blerim Shabani:
Në emër të Lidhja e Qendrave për Punë Sociale Kosovë si kryetar i saj dhe më kërkesë të kabinetit të Ministrit Murati i kemi adresuar një letër me pasqyrimin e situatës në shërbimet sociale në QPS-të e Kosovës para disa muajsh.
Ndër të tjera kemi paraqitur shumë sfida me të cilat ballafaqohen QPS-të në zbatim të punës dhe ofrim të shërbimeve.
Kemi kërkuar të bisedojmë për projekt ligjin për shërbime sociale dhe familjare ( nuk është në agjendë fare)
– projekt ligjin për financat e pushtetit lokal ( ku parashihet granti specifik dhe kontraktimi i shërbimeve sociale është hjek nga agjenda)
– për udhëzimet administrative që presin për aprovim qe sa muaj e pengojnë nënat vetë ushqyese për ndihmë sociale në realizim të drejtës dhe viktimat e dhunës.
– për organin e kujdestarisë.
-për kolezionin e ligjeve.
– për numrin e vogël të stafit nëpër QPS-të e Kosovës dhe pamundësinë për të përballuar volumin e punës dhe nevojës për shërbime familjare.
-për domosdoshmërinën e investimeve në QPS.
– për infrastrukturën e dobët e me kushtet më të këqija në krejt Komunat.
-për mungesën e fondit emergjent për përkrahje direkte të klientëve.
-për reformën në SNS dhe ligjin e ndihmës sociale
– për reformat në politika sociale
– për sfidat në banim social për viktimat e dhunës në familje.
Pas 8 (tetë) muajsh Ministri nuk ka pasë kohë të takohet e t’i diskutojmë këto tema. Adresimi e gjetja e zgjidhjeve duhet të bëhet me veprime e vendime konkrete e jo me deklarata në FB.
Është për keqardhje që qasja ndaj forcimit të shërbimeve sociale është në këtë nivel. E kur po përballemi me raste trishtuese po krijohet inercioni i reagimeve, por ndërrrarrja e veprimeve vazhdon të mbetet në atë nivel.