“Duhet të jemi të gëzuar që Qeveria nuk varet nga Lista Serbe sepse deri tani do të kishte ndonjë mocion mosbesimi”, ka thënë kryeministri Albin Kurti në interpelancën e thirrur për gjendjen në veri.
Në një fjalim para deputetëve në Kuvend, ai e ka mbrojtur qasjen që ka për dialogun me Serbinë. Ka theksuar se qytetarët kanë votuar masivisht për një qasje të re në dialog.
“Kam ftuar politikanët për konsultim, përfshirë edhe thirrësin e interpelancës [Ramush Haradinaj]. Ajo që na bashkon është sovraniteti dhe integriteti territorial. Qytetarët kanë votuar për qasjen e re në dialog. Kritikat i mirëpres, por në të njëjtën kohë, duhet ta kuptoni qartësisht, drejtësinë dhe dobinë e kësaj qasje të re. Sikur të ishim sikur qeveritë e kaluara, kur vareshin nga Lista Serbe, ndoshta do të kishte mocion mosbesimi pas këtyre veprimeve që kemi bërë, por ja që ka ndodh ndryshimi i madh dhe kjo nuk po bëhet e mundur. Duhet të gëzohemi që Qeveria nuk varet nga Lista Serbe, që jemi pavarësuar nga strukturat ilegale që kanë pasur qëllim destruktivitetin e vendit”, ka theksuar Kurti./Prishtinapress/