4.8 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Çollaku: Kosova s’mund ta marrë statusin e vendit kandidat, pa njohjen e pesë vendeve të BE-së

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se në dhjetor të këtij viti, Kosova do ta dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kështu ka deklaruar ai në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke shtuar se është i vetëdijshëm se anëtarësimi në këtë bllok nuk pritet të ndodhë shpejt.

“Sigurisht, ne e dimë se anëtarësimi nuk do të ndodh së shpejti. Por, është e rëndësishme që ne zyrtarisht dhe publikisht të shprehim dëshirën tonë për t’u anëtarësuar në BE”, është shprehur Kurti.

Mirëpo, njohësi i integrimeve evropiane është skeptik për këtë plan.

Ish-ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, ka thënë se Kosova e ka të pamundur që ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, pa e siguruar njohjen nga pesë vendet anëtare të saj.

“Askush nuk e ndalon Kosovën që të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Por, aplikimi formal dhe marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim, janë dy ngjarje apo situata krejtësisht të ndryshme”, ka thënë Çollaku në një prononcim për Klankosova.tv.

Ai ka theksuar se çdo veprim i Kosovës duhet të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare të saj.

“Aplikimi për marrjen e statusit të vendit, do të duhej të bëhej në koordinim me BE-në dhe shtetet anëtare të saj. Kosova e ka të pamundur të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, pa heqjen e pengesës kryesore që ka të bëjë më domosdoshmërinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së të cilat ende nuk e kanë bërë këtë akt”.

Në Bashkimin Evropian janë gjithsej 27 vende anëtare dhe pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Ato janë: Spanja, Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Greqia.

I pyetur rreth asaj se sa janë gjasat që Kosovës t’i jepet e drejta për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, Çollaku ka thënë se Kosova është shumë larg nga kjo fazë.

“Kosova është shumë larg nga nisja eventuale e negociatave për anëtarësim në BE. Në këtë fazë, ne po flasim vetëm për mundësinë për të filluar hapin e parë, pra aplikimin për marrjen e statusit të shtetit kandidat dhe asgjë më shumë”, u shpreh ai.

Në këtë kohë kur po shkruhet ky artikull, janë shtatë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian duke e përfshirë edhe Shqipërinë. Gjashtë të tjerat janë: Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Moldavia dhe Ukraina.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img