Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me ftesë të ushtruesit të detyrës së Ministrit të Mbrojtjes të Malit të Zi, Filip Adzic, mori pjesë në konferencën e Kartës së Adriatikut. Me këtë rast, në fjalimin e tij para të pranishmëve, Ministri Mehaj falënderoi homologun e tij malazias, Ministrin Adzic, për ftesën dhe në të njëjtën kohë, ftoi të gjitha shtetet anëtare të Konferencës për mbështetjen e tyre në iniciativën tonë që t’i bashkohemi kësaj nisme, si anëtarë të barabartë, me të drejta të plota.
“Misioni i iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut është afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me proceset integruese në NATO, me synimin përfundimtar rritjen e sigurisë rajonale dhe forcimin e partneritetit ndër fqinjësor. Prandaj, ne e vlerësojmë shumë ftesën tuaj në këtë takim dhe në të njëjtën kohë, ftojmë të gjitha shtetet të na mbështesin në iniciativën tonë që t’i bashkohemi kësaj nisme, si anëtarë të barabartë, me të drejta të plota”, theksoi Ministri Mehaj duke shtuar se vizioni i Republikës së Kosovës është promovimi i stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm për qytetarët e saj por edhe për rajonin, Evropën dhe më gjerë.
Gjithashtu, Ministri Mehaj në fjalën e tij të potencoi se Kosova është e përkushtuar që të jetë pjesë e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë, në veçanti OKB-së, BE-së, NATO-s dhe OSBE-së, dhe e angazhuar drejt integrimit të plotë në nismat rajonale dhe promovimit të marrëdhënieve paqësore fqinjësore me qëllim rritjen e stabilitetit dhe ruajtjen e paqes.
Më tej, Ministri Mehaj shtoi se: “pas zhvillimeve të fundit, kur vlerat e demokracisë janë sfiduar nga një doktrinë agresive nga Rusia ndaj Ukrainës, ne mbetemi vigjilentë për të koordinuar aktivitetet dhe për të treguar përkushtimin më të lartë për të punuar së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, ndërsa presim me padurim partnerët që të aplikojnë një qasje integruese të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe në veçanti përkrahjen për integrimin e Kosovës në NATO”.
Në ekspozenë e tij, Ministri Mehaj renditi të arriturat gjatë rrugëtimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, proceset aktuale zhvillimore në avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale, si dhe objektivat strategjikë për të ardhmen, me fokus përgatitjet për pjesëmarrjen në stërvitjen më të madhe të forcave amerikane me forcat aleate ‘DEFENDER EUROPE 23’.