Nga Vlora e Pavarësisë, presidenti i Republikës, Bajram Begaj dha dhe mesazhin e urimit për të gjithë shqiptarët me rastin e festës së tyre kombëtare.
Pasi vlerësoi kontributin dhe sakrificën e të gjithë patriotëve që u angazhuan për pavarësinë e vendit, kreu i shtetit dha dhe disa mesazhe përbashkimi drejtuar politikës për të ardhmen e vendit.
Sipas tij, Shqipëria duhet të kthehet në vendin ku të rinjtë gjejnë shpresë që të ardhmen ta ndërtojnë pikërisht aty.
“Vlora na fton për të kremtuar 110 vjetorin e pavarësisë. Në këtë qytet 110 vjet më parë kumboi për herë të parë himni i pavarësisë. Patriotë nga të gjitha viset, udhëhequr nga i urti Ismail Qemali jetësuan përpjekjet e Rilindjes kombëtare dhe i dhanë atdheut vendin që i takonte.
Historia jonë është histori luftërash e sakrificash të paepura për liri, është histori e një populli që dashurinë për atdheun e ka mbi gjithçka. Pavarësia është një vepër e madhe e brezave të patriotëve të panumërt. Brezat të kujtojnë paraardhësit e të mbushen me krenari. I kujtojmë për atë që duhet të bëjmë për përparimin e brezave të mëtejshëm. Jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Ballkan e mbarë botën.
Kombi ynë ka forcuar pozitat dhe është bërë një faktor për paqe e stabilitet në rajon. Në fillim të dhjetorit mbahet samiti i parë mes BE dhe vendeve të Ballkanit në Tiranë. Kjo është një ngjarje historike që na shtyn të vijojmë me reformat. Ajo që duhet të bëjmë është ta duam atdheun me vepra me shërbim, e idealizëm. Ne duhet të jemi bashkë për zhvillimin e vendit, forcimin e institucioneve, e demokratizimit të vendit. Duhet të jemi bashkë në luftën kundër korrupsionit për një Shqipëri të mundësive të barabarta, e të rinjve që gjejnë shpresë që të ardhmen ta ndërtojnë në vendin e tyre”, u shpreh Begaj./a2cnn