Pas dështimit të arritjes së një marrëveshje për targat në Bruksel sot ka reaguar edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot.
Ai tha se vendi i tij shpreh keqardhje që s’u arrit një marrëveshje, duke i bërë thirrje palëve, veçanërisht Kosovës, të pranojnë propozimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të pranojnë propozimin e BE-së për kompromis.
“Franca shpreh keqardhje për mungesën e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pas takimit të 21 nëntorit në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ajo i bashkohet thirrjeve të Bashkimit Europian për të shmangur çdo veprim të njëanshëm që mund të nxisë tensionet. Ai u kërkon të dyja palëve – dhe në veçanti Kosovës – të pranojnë propozimin e kompromisit të formuluar nga Bashkimi Europian”, ka shkruar ai në Twitter.
Po ashtu, ai tha se Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin e BE-së, por tha se ajo duhet ta bëjë të mundur përparimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për të ecur përpara drejt një perspektive europiane të të dyja vendeve, raporton Gazeta Express.
Gjithashtu, ambasadori francez tha se duhet të zbatohet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ajo [Franca] nxit palët që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vijim në frymën e kompromisit dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura tashmë, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe.”