Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e asistuar edhe nga njësitet tjera relevante policore të Gjilanit dhe Ferizajt, me datën 28 korrik 2016, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Ferizajt, ka realizuar një operacion policor që ndërlidhet me veprën penale “fajde”.
Gjatë këtij operacioni policor është realizuar bastisja e një shtëpie me objektet tjera përcjellëse në një fshat të Vitisë, nën dyshimin e bazuar se një person i dyshuar ka kryer veprën penale ‘fajde’, e cila sanksionohet sipas nenit 343 parimi 3 i KPRK-së, transmeton Indeksonline.
I dyshuari i arrestuar në këtë rast është: A. R. lindur me 1963 m/sh/k.
Ndërsa personi i dyshuar tanimë i arrestuar, në fillim të vitit 2015 dyshohet se i ka dhënë një personi nga qyteti i Ferizajt 22.000 FCH (njëzet e dy mijë franga) zvicerane, kurse në muajin qershor të vitit 2016 të njëjtit ia ka kërkuar 70.000 (shtatëdhjetë mijë euro), në formë kamate të jashtëligjshme.
Në pamundësi të kthimit të kësaj kamate viktima është detyruar t’ia japë të dyshuarit një shtëpi banimi, në të cilin gjendet edhe një lokal afarist.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar disa dokumente për shitblerjen e patundshmërive, fletore të ndryshme etj.
I dyshuari për momentin është duke u intervistuar nga ana e hetuesve të njësisë për hetimin e krimeve ekonomike, thuhet në një komunikatë për media.