Në Bruksel sot u zhvillu takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan Prishtinapress.
Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama,në një prononcim dhënë portalit Prishtinapress ka thënë se në këtë takim të sotëm pritet të gjendet një kompromis në lidhje me targat.
“Takimi i sotëm në mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb pritet që të gjendet një kompromis në lidhje me targat që është çështje politike, e instrumentalizuar nga Beogradi. Është vështirë të parashikohet ky kompromis, por dy janë mundësitë, ose shtyrje e afatit të implementimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për gjobitjen e atyre shtetasve që qarkullojnë me targa ilegale, ose pajisja me targa KS dhe shtyrja e afatit për këto targa edhe për një kohë. Mendoj se kjo e dyta ka me pak gjasa të ndodhë pasi është kërkesë e Beogradit”, tha Lama për Prishtinapress.
Lama , ka bërë me dije se BE dhe NATO nuk do me shumë kokëdhimbje në rajon, pasi është e përqendruar tek lufta në Ukrainë
“Besoj se në takim janë duke u diskutuar edhe çështje të tjera, dhe se BE do të tregohet këmbëngulëse në lidhje me një marrëveshje, duke përdorur shkopin dhe karotën. Është e qartë se BE dhe NATO nuk do me shumë kokëdhimbje në rajon, pasi është e përqendruar tek lufta në Ukrainë, dhe si pasojë nuk do të tolerojë tensione të mëtejshme”, përfundoi Lama.
Kujtojmë se fillimisht, Borrell ka mbajtur takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.
Ndërsa, Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për shtensjonuar situatën
Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj nga 1 nëntori.
Faza e parë përfshinte qortimin e shoferëve, e dyta shqiptimin e gjobës prej 150 eurosh për ata shoferë, dhe e treta targat provuese.
Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar sot në Bruksel pas më shumë se tre muajsh. Edhe pse atëherë ishte thënë se pritet të ketë një dinamikë të re në dialog dhe takime të nivelit të lartë së paku një herë në muaj, liderët e dy vendeve nuk janë takuar në kuadër të këtij procesi që nga muaji gusht./Prishtinapress/