Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po kërkojnë që paga minimale në vend të jetë 400 euro, e jo siç ka propozuar Qeveria 264 euro, raporton Ekonomia Online.
Kjo sipas deputetëve të kësaj parie për shkak të krizës së shkaktuar kohët e fundit më rritjen e çmimeve.
Madje ato po kërkojnë që Ligji i pagave sa më shpejt të procedohet në Kuvend, duke shtuar se Ligjin nuk është paraparë as në projekt-buxhetin për vitin 2023.
Deputeti i PDK-së Ferat Shala për Ekonomia Online ka treguar se inflacioni tashmë ka arritur në 14%, duke shtuar se paga minimale duhet të jetë 400 euro.
Sipas tij, është obligim i institucioneve që pagat e sektorit privat të jenë në proporcion me problemet që e kanë kapluar vendin dhe pagat në sektorin publik.
“Tashmë zyrtarisht kemi shifrën që mbi 14 ka arritur shkalla e inflacionit. Paga minimale nuk ka asnjë kuptim të jetë sipas propozimeve të Qeverisë dhe duhet të jetë rreth 400 euro”.
“Është obligim institucional dhe social e qytetarë që edhe pagat në sektorin privat duhet të jenë kompatibile me problemin dhe pagat e sektorit publik”.
Sipas tij, Qeveria nuk ka hartuar asnjë plan që të subvencionohet sektori privat. Deputeti Shala theksoi se as me Projekt-buxhetin e viti të ardhshëm nuk ka mbështetje substanciale për sektorin privat.
“Qeveria nuk ka hartuar në asnjë rast një plan në politikat fiskale në subvencionimin e sektorit privat në mënyrë të ligjshme. Përkundrazi ne masa të caktuara kanë qenë të dënueshme dhe regresive sa i përket sektorit privat”.
“Nuk shohim asnjë perspektivë që me këto politika ekonomike e veçanërisht me hartimin e projekt buxhetit për vitin e ardhshëm që sektori privat të ketë ndonjë mbështetje më substanciale. Nuk është e paraparë Ligji i pagave as në projekt buxhet dhe është një mashtrim i madh që po na ndodh”.
Ndërsa, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Albana Bytyqi tha se urgjentisht po kërkojnë miratimin e Ligjit të Pagave.
Sipas saj, sektori privat po injorohet vazhdimisht dhe se reagimi i Qeverisë për ta ndihmuar këtë sektorë duke mundësuar rritjen e pagave është i domosdoshëm.
“Ne si Aleancë kemi kërkuar që Ligji i Pagave të vijë sa më shpejt në Kuvend dhe të miratohet dhe të hyjë në fuqi as sa të jetë i mundur dhe ne po kërkojmë që të votohet Ligji i Pagave sepse duke parë krizën ekonomike në vend po e shohim të nevojshëm të miratohet”.
“Sektori privat është shumë i rëndësishëm sepse në shohim që Qeveria nuk po jep asnjë opsion për sektorin privat dhe kjo është një çështje injoruese për sektorin privat. Përderisa Qeveria Kurti dhe Ministri i Financave nuk po reagon mendoj që duhet të rriten pagat në sektorin privat, por edhe Qeveria duhet të reflektoj sa i përket pagave për sektorin privat”.