Ministria e Punëve të Brendshme në muajin gusht të këtij viti kishte hapur konkurs për pozitën Zyrtar Administrativ në Komunën e Leposaviqit. Ky konkurs ishte hapur me 4 gusht dhe ishte mbyllur me datën 15 gusht dhe, më pas ishte shtyrë për 5 ditë të tjera.
Komisioni Përzgjedhës në bazë të Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik, me datën 12 tetor e kishte bërë publike listën e kandidatëve të cilët e kanë kaluar testin me shkrim të mbajtur me datë 17.09.2022, për pozitën Zyrtar administrativ në MPB, raporton Kosovalive.net.
Sipas këtij komisioni testin me shkrim e kishin kaluar 533 kandidatë.
Ndërsa me datën 11 nëntor të këtij viti ky komision ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve pas testimit me shkrim dhe me gojë, ku janë përzgjedhur për punësim 50 prej tyre.
Kosovalive.net nga burimet brenda Komunës së Leposaviqit merr vesh se në këtë konkurs janë pranuar 11 banorë të fshatrave shqiptare Bistricë, Cerajë dhe Kushtovë, ndërsa e vetmja kandidate që nuk është pranuar ka qenë Albulena Behluli- Hetemi.
Kosovalive.net, ka kontaktuar me kandidatën e cila nuk është pranuar. Ajo për kosovalive.net ka deklaruar se i ka plotësuar të gjitha kriteret por nuk është pranuar.
“Këta që janë pranu kanë lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje, këtë listë e ka bërë Erden Atiq. E kam kaluar testin në intervistë, kam kaluar shumë mirë në përgjigjet që i kam dhënë. Ky konkurs ka qenë në tërë Kosovën. Po ashtu ky konkurs është shtyer për 5 ditë”, ka deklaruar ajo.
Albulena Behluli- Hetemi pretendon se përpilimin e listave e ka bërë Erden Atiq në bashkëpunim me Behxhet Hetemin.
“Erden Atiq i cili është këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme i ka thënë njerëzve ‘aplikoni se unë ju ndihmoj’e në bashkëpunim me Behxhet Hetemin”, pretendon ajo.
Në konkursin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në pozitat zyrtar administrativ është bërë nepotizëm.
Erden Atiq i cili është këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në koordinim me kryetarin e degës së Lëvizjes Vetëvendosje, Behxhet Hetemi, i cili është përfaqësues i Vetëvendosjes në tri fshatrat Bistricë, Ceraje dhe Kushtovë në komunën e Leposaviqit, e ka favorizuar Enver Aliun, i cili është nënkryetar i LVV, dega në Leposaviq. Ai është punësuar në drejtorinë e shëndetësisë dhe të mirëqenies sociale në komunën e Leposaviqit si roje. Ky i fundit ishte punësuar në këtë pozitë nga ish- kryetar i Leposaviqit, Dragan Jubllanoviq në vitin 2017, ndërsa tani nga ky koordinim “Atiq- Hetemi” është punësuar prapë në këtë pozitë.
Ndërkaq, Behxhet Hetemi, si kryetar i degës së LVV’së, në Leposaviq, me vetëdije të plotë ka bërë nepotizëm ku i ka punësuar dy vëllezërit e tij, Bashkim Hetemin dhe Driton Hetemin, ku i njëjti punon në një agjencion doganor në komunën e Mitrovicës. Po ashtu, Behxhet Hetemi ka punësuar edhe dy djemtë e axhallarëve të tij Vedat Hetemin, por siç merr vesh kosovalive,net, ai nuk e kishte kaluar testin me shkrim e pastaj kishte bërë ankesë në MPB dhe kjo ankesë ishte marr për bazë.
Ndërkaq, Bahri Aliu është i punësuar në kombinatin “Trepça” në Stantërg.
Lidhur me këto punësime kosovalive.net, ka provuar të kontaktoj më këshilltarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Erden Atiq, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje./Prishtinapress/