Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka bërë me dije se zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore nuk do të mbahen.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se situata e krijuar në atë pjesë të vendit pamundëson mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Sipas tij, serbët e asaj pjese janë të kontrolluar nga Serbia.
“Nuk do të mbahen zgjedhjet, për shkak se qytetarët atje janë të kontrolluar nga strukturat ilegale, apo ish-legale, që sot janë instrument i Beogradit. Pra, nuk do të këtë zgjedhje në veri”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka deklaruar se presidentja Osmani duhet t`i ndërmarr disa veprime tjera.
“Shumë e saktë do të ishte që presidentja me u marrë me zëvendësimin e deputetëve( të Listës Serbe). Me e thirrë 10-shen e dytë, 10-shen e tretë, deri të shpenzohen mundësitë ligjore”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, shefja e shtetit është dashur ta shtyjë datën e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe me KQZ-në, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi”, është thënë në vendimin e Presidentes për caktimin e datës së zgjedhjeve për këto komuna.