Kosova do të marrë pjesë për herë të parë në Konferencën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara. Kjo është konfirmuar nga ministri Liburn Aliu, i cili ka njoftuar se ftesa është bërë nga qeveria gjermane.
“Për herë të parë do të jemi pjesëmarrës në Konferencën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara. Me ftesë të Qeverisë Gjermane dhe Ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, znj. Anna Baerbock, do të marrim pjesë në Konferencën e Anëtarëve (COP27), me ç’rast do të zhvillojmë takime bilaterale lidhur me financimet e mundshme për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe implementimim e Marrëveshjes së Parisit”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Qëllimi i pjesëmarrjes së Kosovës në këtë konferencë është anëtarësimi në Konventën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara.
“Pasi që mbetemi i vetmi shtet pa qasje direkte në fondet multilaterale të OKB-së, me datë 18 Nëntor, në hapësirat e Pavilionit Gjerman në Egjipt, do të prezantojmë agjendën tonë që ka të bëjë me nevojat për investime në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe synimet tona për dekarbonizimin”.
“Qëllimi final i pjesëmarrjes tonë është që të anëtarësohemi në Konventën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara (UNFCCC), rrjedhimisht Kosova të ketë mundësinë që të negocioj dhe të ketë qasje në fonde për ndryshime klimatike”, shkroi mes tjerash ai./Prishtinapress/