2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

​Gjyqtarët nuk po arrijnë as normën e lëndëve të zgjidhura

Gjyqtarët nuk po arrijnë të zgjidhin lëndë në raste civile, as sa ua përcakton norma orientuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Viti i kaluar është përmbyllur me mbi 80 mijë lëndë civile të pazgjidhura. Situatë më e mirë nuk po vërehet as këtë vit në trajtimin edhe të lëndëve penale. Deri në fund të muajit shtator të këtij viti, janë shënuar mbi 300 mijë lëndë të pazgjidhura.

Organizatat monitoruese thonë se për zgjidhjen e tyre u nevojitet kohë edhe mbi dy vjet, me kushtin se nuk do pranohen raste të reja. Sipas tyre, shkak i rritjes së numrit të lëndëve është mosrespektimi i kontratës kolektive nga institucionet publike.

Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se në raportin e publikuar që flet për drejtësinë civile, vërehet se nga viti 2018 ka dyfishim të numrit të lëndëve të pranuara.


“Është gjetur që numri i lëndëve në këtë departament është rritur vazhdimisht, prej vitit 2018 deri në vitin 2021, ka dyfishim të lëndëve të pranuara. Në vitin 2018, kanë qenë diku 44 mijë lëndë civile, ndërsa në vitin 2021 është përmbyllur diku me 84 mijë lëndë të pazgjidhura që tani më janë duke rënduar gjykatat tona. Se ku po çalojnë gjykatat, zakonisht është një keqadministrim i lëndëve të natyrave të tilla, për shkak se gjyqtarët nuk kanë arritur gjatë vitit 2021 edhe viteve të tjera, që ta përmbushin normën orientuese e cila përcaktohet me rregulloret të KGjK-së. Po ashtu, KGjK vazhdimisht harton plane strategjike për reduktimin e lëndëve të vjetra, mirëpo në vazhdimësi është parë që këto plane strategjike nuk kanë pasur sukses”, deklaron ai.

Gjatë vitit të kaluar, gjyqtarët nuk kanë arritur që të zgjidhin lëndë aq sa parashihet me rregullore të normës orientuese.

“Gjyqtarët nuk kanë arritur t’i zgjidhin lëndët aq sa parashihet me rregullore të normës orientuese. Ata kanë arritur të zgjidhin vetëm 2/3 të lëndëve të normës orientuese t’i zgjidhin. Kanë qenë diku rreth 110 gjyqtarë dhe secili prej tyre në një mesatare të llogaritur nga IKD, del që kanë arritur t’i zgjidhin diku rreth 213 lëndë, ndërsa ata do të duhej t’i zgjidhin brenda një viti 329”, shprehet hulumtuesi nga IKD.

Situatë më e mirë nuk është vërejtur as gjatë këtij viti, për shkak të numrit të madh të lëndëve të trashëguara.

Hulumtuesi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Liridon Salihi flet për numrin e lëndëve civile e penale që janë zgjidhur gjatë këtij viti.

“Në periudhën janar-shtator 2022, prapë kemi një numër shumë të madh të lëndëve të cilat kanë mbetur në punë dhe një numër edhe jo aq të madh të numri të lëndëve të cilat kanë arritur që të zgjidhin nga ana e gjyqtarëve. Kësisoj në periudhën për të cilën po flasim janar-shtator 2022, nga të dhënat zyrtare del që janë zgjidhur diku 87 mijë e 164 lëndë, mirëpo në punë kanë qenë 331 mijë e 976 lëndë. Që i bie që tashmë prej datës 1 tetor e tutje në gjykatat e Kosovës, përfshirë Gjykatën Supreme, Gjykatën e Apelit dhe në shtatë gjykata themelore, në punë mbesin gjithsejtë 244 mijë e 812 lëndë”, shprehet Salihi.

Sipas tij, për zgjidhjen e këtyre rasteve, gjyqtarëve u duhen mbi dy vjet, por me kushtin se nuk do pranojnë lëndë tjera.

“Në bazë të trendit, të cilën ne e shohim të zgjidhjes së lëndëve e vërejmë që përafërsisht, gjykatave në vendin tonë u nevojiten dy deri në dy vjet e gjysmë për t’i përfunduar të gjitha lëndët të cilat i kanë në punë. Me kushtin e vetëm që mos të pranojnë lëndë të reja. Mirëpo, e dimë që gjykatat në vazhdimësi pranojnë lëndë të reja dhe kjo po bën që të trashëgohen vit pas viti edhe të njëjtat të jenë ngarkesë edhe për vet gjyqtarët”, deklaron ai.

Për numrin e madh të lëndëve të grumbulluara, ai thekson se ka ndikuar mosrespektimi i kontratës kolektive nga institucionet publike.

“Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen apo në dyfishimin e lëndëve civile, është dhe moszbatimi i kontratave kolektive nga institucionet publike. Kjo ka ndikuar që rreth 40 për qind e lëndëve të pranuara prej vitit 2018 deri në vitin 2021 dhe gjatë vitit 2021, të jenë të kësaj natyre. Edhe pse këto lëndë konsiderohen të natyrës së lehtë dhe konsiderohen që nuk kanë pengesa ligjore të shumta procedurale apo të atilla që e vështirësojnë punën e gjyqtarëve, gjyqtarët nuk kanë arritur që t’i zgjidhin këto raste brenda afateve ligjore të përcaktuara”, shton Makshana./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img