Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Përparim Rama ka paparë t’i shpenzojë fiks 10 mijë euro për pije ekzotike, lëngje dhe kafe. Për këtë shërbim është hapur edhe një tender.
Coca-Cola, fanta e lëngje frutash, si pjeshkë, mollë, dredhëz dhe kafe të ndryshme, janë vetëm disa nga pijet që janë porositur për t’u blerë nga Komuna e Prishtinës.
Në tenderin e shpallur nga institucioni që drejtohet nga Përparim Rama është treguar se furnizimi me pije do të kushtojë 10 mijë euro, shkruan Demokracia.com.
Edhe pse ky tender në njoftimin e shpallur përmban edhe ushqim, ky produkt fare nuk është përmendur.
“Vlera e parashikuar është 9,999.90 euro. Furnizim me ushqim dhe pije. Afati i fundit për pranim të tenderëve, aplikacioneve: data 14.11.2022”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Komuna në tenderin e shpallur ka treguar se kompania fituese duhet t’i plotësojë goxha do kritere.
“Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të ngjashme, në vlerë minimale prej 10000 në 3 (tri) vitet e fundit (duke filluar nga data e publikimit të Njoftimit për kontratë)”, bëhet e ditur aty, shkruan Demokracia.com.
Në dosjen e tenderit është bërë edhe një përshkrim i shkurtër i lëndës së kontratës, ku janë treguar produktet që do të blihen me 10 mijë eurot e parapara.
Është treguar të blihen 4 mijë e 750 pije ekzotike, 7 mijë e 500 lëngje të ndryshme, 180 kilogramë kafe, 50 pako sheqer dhe 30 copë çokolatë të lëngshme për kafe.
“Pije të gazuara Coca-Cola, Coca-Cola zero, Fanta, Schweepes, paketim 0.33l, ambalazhi kanaqe 1 pako/24 copë. Lëngje frutash, lëngje të ndryshme: Pjeshkë, Mollë, Gjus, Gjus karrote, Boronicë, Dredhëz, Vishnje, paketim 0.200ml, ambalazhi qelq, Frutti ose ekuivalent. Sheqer në qese të vogla, paketimi 1 pako/5KG. Kafe për aparat, ambalazhi 1KG, Lavazza, Kimbo, Pavin Caffe, ose ekuivalent. Lugë plastike për kafe, paketimi 1/150. Çokolatë për kafe e lëngshme, paketim 350g”, ka treguar Komuna e Prishtinës, duke thënë se dorëzimi duhet të bëhet në zyrat e tyre.