4.8 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Gjykata Speciale, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Thaçit t’i vazhdohet paraburgimi

Me anë të një shkrese, të datës 4 nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou që të vazhdohet masa e paraburgimit ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, i cili po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në këtë shkresë, thuhet se në bazë të nenit 41 të Ligjit dhe rregullës 57 të Rregullores, ZPS i bën këto parashtresa lidhur me paraburgimin e të akuzuarit Hashim Thaçi.

Sipas tyre, që nga vendimi më i fundit, më 29 shtator 2022, nuk ka pasur asnjë ndryshim të rrethanave që do të favorizonin një përcaktim tjetër dhe Thaçi nuk ka bërë asnjë parashtrim mbi këtë apo ndonjë bazë tjetër.

Prokuroria thotë se Thaçit duhet t’i  vazhdohet paraburgimi.

ZPS shkruan në këtë shkresë se Thaçi vazhdon të plotësojë standardin e aplikueshëm për rrezikun e arratisjes.

Tutje, thuhet se parashtron se aftësia e Thaçit për tu arratisur mbetet e pandryshuar nga vendimi i pestë i paraburgimit.

“Thaçi vazhdon të ushtrojë ndikim dhe autoritet që mund ta ndihmonte në arrati. Pozicionet e tij të kaluara dhe me ndikim të kohëve të fundit përfshijnë të qenit (i) anëtar themelues i UÇK-së, (ii) anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, (iii) Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së, (iv) Kryeministër dhe (v) President i Kosovës . Gjyqtari i procedurës paraprake ka deklaruar më herët se ‘dijenia e Thaçit për akuzat ndaj tij dhe mundësia e një dënimi të rëndë në rast të shpalljes fajtor rrit rrezikun e tij për t’u arratisur”, thuhet tutje nga prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç kësaj, sipas tyre, përveç njohurive të Thaçit për akuzat dhe dënimin e mundshëm të gjatë, gjykatësi i procedurës paraprake gjithashtu ka konstatuar se me marrjen e provave shtesë gjatë procesit të zbulimit ‘Thaçi ka fituar një pasqyrë të shtuar të provave në bazë të këtyre akuzave’.

Tutje, thuhet se që nga vendimi i fundit i paraburgimit, Thaçi është informuar për dëshmitarë shtesë, në të cilët ZPS synon të mbështetet, ka marrë lista të përditësuara të dëshmitarëve dhe dëshmive, si dhe ka marrë zbulime të materialeve të shumta shtesë.

ZPS thotë se Thaçi vazhdon të paraqesë rrezik për pengim të procedurave.

“Gjykatësi i procedurës paraprake ka gjetur më parë se Thaçi ‘(i) ka tentuar të minojë Dhomat e Specializuara dhe ka ofruar përfitime për personat e thirrur nga ZPS; (ii) ka një interes dhe aftësi të demonstruar për të marrë prova të siguruara nga personat e thirrur nga ZPS; dhe (iii) vazhdon të ketë autoritet dhe ndikim në Kosovë”, parashtron prokuroria.

Sipas tyre, për më tepër, gjykatësi i procedurës paraprake ka konstatuar se frikësimi ose ndërhyrja te dëshmitarëve dhe të tjerët nuk mund të zbutet në mënyrë efektive vetëm me masa mbrojtëse dhe se ekziston ‘klima e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë.

Prokuroria pretendon se  nuk ka asnjë ndryshim në këto konsiderata dhe mbetet rreziku që Thaçi të ndërhyjë në procedura.

Ata thonë se faktorët e vlerësuar nëse ekziston rreziku i pengimit të procedurave sipas nenit 41(6)(b)(ii) janë gjithashtu relevant kur shqyrtohet nëse ekziston rreziku i krimeve të mëtejshme nëse Thaçi lirohet.

Tutje, parashtrojnë se sipas nenit 41(6)(b)(iii) mjafton që ekziston besimi i rrezikut se Thaçi do të nxisë ose ndihmojë të tjerët të kryejnë krime, ose të kontribuojë në ndonjë mënyrë tjetër në kryerjen e tyre.

“Gjykatësi i procedurës paraprake paraprakisht ka konstatuar se, përveç klimës së frikësimit të dëshmitarëve, Thaçi ka: (i) interesin dhe aftësinë për të marrë prova të ofruara nga personat e thirrur nga ZPS; (ii) tentoi të minonte Dhomat e Specializuara dhe ofroi përfitime për personat e thirrur nga ZPS; (iii) një pozicion me ndikim në Kosovë që mund t’i mundësonte atij të nxiste mbështetjen e simpatizantëve; dhe (iv) një rrëfim i shtuar i rastit të ZPS-së kundër tij që nga [vendimi i fundit i paraburgimit] si rezultat i [materialeve shtesë nga ZPS]”, thuhet nga ana e prokurorisë.

Prokuroria shton se kjo mbetet e vërtetë edhe sot, dhe vazhdon të ekzistojë rreziku që Thaçi të kryejë krime shtesë.

Sipas ZPS-së, kushtet e tjera nuk mund të zbusin rreziqet dhe paraburgimi mbetet proporcional.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se  përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.

Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.

“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9: vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img