Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj thotë se është e papranueshme që ende nuk është emëruar Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni.
Ai u shpreh se numri kaq i vogël prej 5 personash që kanë aplikuar për këtë pozitë, është shqetësuese.
“Konkursi për drejtor është shpallë para 2 muajsh. Nuk ka ndonjë shpjegim nga MPB pse nuk po vazhdohet me procedura, ndoshta është numri i vogël i kandidatëve edhe pse legalisht është i mjaftueshëm. Ndoshta emrat që kanë konkurruar ndoshta nuk e di ka ndonjë arsye, për mua është e papranueshme është dashur që ky konkurs të vazhdojë, të bëhet emërimi i drejtorit ose të anulohet nëse ka ndonjë zbrazëtirë”, tha ai në emisionin “Info Nata” në tëvë1.
Por, sipas tij në këtë proces ka pasë ndërhyrje direkte nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe stafi i tij.
“Arsyeja kryesore është ndërhyrjet direkte që ka bërë ministri i Brendshëm në punët operacionale të PK-së dhe njerëzit që janë meritorë dhe kanë ambicie të shëndosha dhe realisht kanë hezituar pikërisht për shkak të presionit që ka bërë ministri”, shtoi ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës është pa drejtor që nga fundi i gushtit, kur pati dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, Samedin Mehmeti.