Rreth 400 vende të lëna bosh pas largimit të serbëve nga Policia e Kosovës, tashmë janë zëvendësuar nga policë të komunave të tjera.
AP nga burime brenda policisë merre vesh se nëpër të gjitha komunat veriore ku ishte krijuar zbrazëtira, janë dërguar policë nga qytetet tjera dhe si përforcim kanë edhe policë të Njësiteve Speciale.
Këta policë do të zëvendësohen me turne, deri në një vendim të radhës që e zgjidh çështjen përhershëm.
Gjithashtu, njësitet speciale do të vazhdojnë të qëndrojnë si përforcime për një kohë, deri në një vendim të ri.
Edhe vendimi i përshkallëzuar për targat ilegale po vazhdon.
Masa e qortimit, që është faza e parë, deri me 21 nëntor, kur pritet të fillojë ajo e gjobës për 150 euro për të gjithë ata që bartin tabela ilegale të prodhuara në Serbi me inicialet e qyteteve të Kosovës, si “KM”, “GL” e të tjera, po vazhdon të lëshohet.
Megjithatë, po ndodhë me një intensitet më të ulët se në ditët e para, me qëllim të mos acarimit të situatës.
Policët serbë vendosën të lëshojnë institucionin, pasi fillimisht komandanti i policisë atje, Nenad Gjuriç, refuzoi ta zbatojë vendimin dhe për këtë arsye u suspendua nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Si shenjë revolte, vendosën të largohen edhe të gjithë policët tjerë serbë në atë zonë.
Të dielën gjatë ditës, Lista Serbe mbajti një protestë ku u bënë edhe një herë kërkesat e tyre të qarta se nuk do kthehen brenda institucioneve derisa qeveria të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe gjithashtu të ndalojë masën e qortimit./Prishtinapress/