Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës “është lëvizja më e përgjegjshme për persekutimin sistematik të popullit serb dhe nëpërkëmbjen e të gjitha marrëveshjeve nga Albin Kurti”.
Ai tha se serbët do të qëndrojnë jashtë institucioneve derisa të formohet asociacioni, derisa shtoi se “askush nuk i do targat RKS”.
“Ky është një reagim i sforcuar i popullit serb, largimi nga institucionet e përkohshme është përgjigje demokratike, sepse populli është mjaftuar. Serbët kanë thënë qartë se po largohen nga të gjitha institucionet derisa të fillojë formimi i asociacionit dhe derisa Kurti të anulojë vendimin e dhunshëm për riregjistrimin e automjeteve”, tha Petkoviq për RTS.
Kujtojmë që deri më tani serbët janë larguar nga Policia e Kosovës, kryetari i Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit. Po ashtu, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit.
Të gjitha këto erdhën si pasojë e fillimit të zbatimit të moderuar për targat dhe suspendimit të drejtorit të policisë në veri, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë këtë vendim./Prishtinapress/