Shkruan: Zejnepe B. Bekteshi
Në Kosovë dhunës i kushtohet pak vëmendje.
Çdo ditë shohim në lajme raste të ndryshme të dhunës, në familje, në shoqëri e në institucione. Dhuna qoftë fizike apo psikologjike, lë pasoja të mëdha tek secili individë në shoqëri. Rasti i djeshëm në Pejë, besojë që ka lënë gjurmë tek secila familje shqiptare.
Pamjet e rënda të cilat u publikuan, ku shihej një e moshuar derisa sulmohej fizikisht nga një infermiere në Qendrën e të Moshuarve “Orenda” në Pejë, ishin shqetësuese. Prindërit tonë trajtohen në mënyrë çnjerëzore, e ne ende kemi kohë të flasim për politikë. Boll ma me “fasada”. Duhet t’i hapim letrat.
Tashmë, unë e ti, duhet të flasim për ketë dukuri, që shoqërinë tonë e shoqërojnë mbi 20 vite. Dhuna si dukuri është bërë si “urë lidhëse” për zgjidhjen e problemeve. Fatkeqësisht ajo është e pranishme kudo rreth nesh. Bile, shpesh ndoshta edhe pa vetëdije e duartrokasim. Pra, deshëm apo jo, ne ua servojmë çdo ditë këto skena të rinjve dhe fëmijëve në medie. Atëherë, pse po çuditem kur diçka po bëhet publike, kur shumica prej nesh të paktën njeh dikënd me një ngjarje të tillë. Pra, ne kemi nevojë të bërtasim e të flasim për dhunën që ka filluar të dalë në sipërfaqe, jo që nuk ka qenë prezentë më herët. Rasti i djeshëm në Pejë, kam drojën se është veç një mostër e gjendjes aktuale në Kosovë. Si natyrë jam e fort dhe loti nuk më del aq lehtë. E këtu, qau shpirti e rrjedhimisht më doli edhe loti. Ky shkrim është reagim dhe “një pikë ujë në det” për një nanë që djalin e saj e dha dëshmor në luftën e fundit, e ne të jetojmë lirshëm falë gjakut të dëshmorëve. Fatkeqësisht, kjo liri është edhe për sojin e Aurona Pelajt. Më fal, Nana e të gjithë shqiptarëve që s’kam fuqi e mundësi të bëjë më shumë për ty!
PELAJ ti nuk e ke qëlluar vetëm Nanën e dëshmorit, ti i ke qëlluar çdo familje shqiptare, me sjelljen tënde çnjerëzore. Edhe më e dhimbshme është ajo që dëgjuam në video duke u “zgërdhi”, ato që filmonin e shikonin, ama nuk e ndihmuan të moshuarën.
Sipas, raportimeve në medie, Nana e dëshmorit, vuan nga sëmundja e Alzheimerit. Kjo sëmundje shkakton edhe vështirësi në disa fusha, një ndër do është edhe kujtesa, vëmendja, të mësuarit etj. Me një fjalë, një pacientë me një sëmundje të tillë, kërkon mbikëqyrje 24 orë. Mbi të gjitha kërkon shumë dashni e shumë respekt, çdo sekond.
Pra, ajo ka shkuar në atë Qendër për tu trajtuar dhe jo për tu maltretuar. Si shoqëri me këto sjellje mundemi me shku veç në “pus pa fund”.
Video që e pamë dje, një keqtrajtim të dhimbshëm të një nane të moshuar, tregon edhe një herë se në çfarë niveli jemi si shoqëri dhe si shtet.
Dukuria e dhunës në vendin tonë është duke u përhapur shumë, andaj të fillojmë të flasim për të. Mos ta lëmë edhe këtë rast të shëmtuar të zgjatë vetëm tri ditë. Normale që pati reagime, por edhe ky rast nuk është për tu befasuar. Ka vite që flitet për raste të tilla. Tashmë është koha të merren masa dhe të flitet për sjellje të tilla makabre.
Tash, edhe unë, edhe ti atje në QKUK, edhe ti atje kudo që je, në çdo cep të Kosovës, mundesh me pa skena të ngjashme. Të bërtasim me za të lartë “Boll ma”.
Të flasim për këtë dukuri që tashmë na është bërë ngjitëse.
Të fillojmë të flasim më shumë për respektin, për dashnin. E fatkeqësisht një numër i konsiderueshëm, të jesh me këto tipare, për ta nuk je “IN’, të jesh tradicional siç na mësuan gjyshërit tanë e nënat tona, nuk je i kohës. E çka po pret nga një shoqëri e tillë?!
Njerëzit kanë nevojë për më shumë dashni, kanë nevojë për më shumë respekt, kanë nevojë për edukim, për këto gjana tashmë kanë nevojë si për ushqim.
Mos ta harrojmë traditën e të parëve tonë, qe besa tradita, mikpritja, respekti e dashnia, është ajo që na ka karakterizuar si popull. Kjo ka qenë kultura jonë. Të tjerat si kjo, janë sjellje çnjerëzore dhe mbetet të merret drejtësia me to. Fillimisht të kemi pak njerzillëk, mandej të jemi profesionist në secilën fushë. Kjo veç se ka humbur duke e jetuar një jetë me “fasadë”, ku të mirës i themi keq, e të keqes, mirë!
“Boll ma”, folem edhe për politikë qe 20 vite, duke folur për të, nuk kemi qit kurgja në dritë. Po sikur të ishte ajo Nana e secilit prej nesh. Po sikur të jemi nesër vet ne?!
Prandaj, duhet të reflektojmë, si individë, si shoqëri dhe si shtet!
Këto ngjarje duhet të na i hapin sytë dhe të ecim për tokë!