Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pasi Departamenti Amerikan i Shtetit tha se kërkuan shtyrje të afatit për targa, jo implementim në faza.
Ajo thotë se “Perëndimi dëshiron t’a mbajë sa më afër vetes Serbinë, duke mbyllur sytë përpara shkeljeve të vazhdueshme që bëjnë”.
“Presionin asimetrik ndërkombëtar ndaj saj, Kosova mund t’a përballojë e tejkalojë vetëm me unitet politik përballë Serbisë, me qëndrime të përbashkëta e të fuqishme, e koordinim ndërpartiak. Çdo kalkulim për vota përmes temës së dialogut me Serbinë, po bëhet në kurriz të Kosovës. Koha t‘i themi mjaft më kësaj praktike të dëmshme. Këtë e don populli!”, shkruan ish-ministrja.
Postimi i plotë:
Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një konference direkte nga Washingtoni të Zëdhënësit Ned Price, posa lëshoi edhe një deklaratë shqetësuese rreth vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për targat:
‘Ne kërkojmë shtyerje të plotë të vendimit për targat. Ne nuk kërkojmë shtyerje të pjesshme. Nuk na duhet implementimi me faza.’ – tha para pak minutash zëdhënësi Price!
Për shkak të luftës në Ukrainë, dhe afërsisë së Serbisë me Rusinë, shihet qartë që Perëndimi dëshiron t’a mbajë sa më afër vetes Serbinë, duke mbyllur sytë përpara shkeljeve të vazhdueshme që bëjnë. Në reagim eklipsohet totalisht sjellja e Serbisë ndaj ZvKM Bislimi (shkelje flagrante e marrëveshjes për shkëmbimin e vizitave), si dhe instrumentalizimi i vazhdueshëm që Serbia ua bën serbëve të Kosovës duke i nxitur për dhunë, tensione, e mospërfillje ndaj organeve të rendit e sigurisë së Kosovës.
Presionin asimetrik ndërkombëtar ndaj saj, Kosova mund t’a përballojë e tejkalojë vetëm me unitet politik përballë Serbisë, me qëndrime të përbashkëta e të fuqishme, e koordinim ndërpartiak. Çdo kalkulim për vota përmes temës së dialogut me Serbinë, po bëhet në kurriz të Kosovës. Koha t‘i themi mjaft më kësaj praktike të dëmshme. Këtë e don populli!/Prishtinapress/