Një ditë para së të fillojë faza qortuse për qytetarët që qarkullojnë në Kosovë me targat ilegale serbe, Ministria e Punëve të Brendshme, shpalosi edhe një herë vendimin e së premtes.
Aty ritheksohet se nga data 21 nëntor deri me datë 21 janar të vitit të ardhshëm, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me këto lloje të targave do të shqiptohet gjobë në lartësi prej 150 euro.
Derisa pas 21 janarit duhet të bëhet pajisja me targa provuese duke përfituar edhe lehtësirat e parapara, ndërsa faza e fundit para se bëhet ndalimi i hyrjes në territorin e Kosovës me targat ilegale, përfshinë mundësinë e ri-regjistrimit por pa lehtësira.
E se si do të duket fletëqortimi që shqiptohet nga 1 nëntori, ka treguar Policia e Kosovës në faqen e tyre zyrtare në facebook.
Njohësi i sigurisë Drizan Shala, shprehet skeptik në zbatueshmërinë e vendimit të ri të Qeverisë për targat.
Ndërsa sipas njohësit të çështjeve politike Albinot Maloku, faktori ndërkombëtar edhe kësaj here, favorizoi Serbinë duke i bërë presion Kosovës për shtyerje të afatit, raporton Tëvë1.
Të premten, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndryshoi vendimin për çështjen e targave ilegale. Kurti deklaroi se në këtë mënyrë treguan vendosmëri për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, të cilën e quajti edhe si brengë të partnerëve ndërkombëtarë, ndonëse këta të fundit u shprehën të zhgënjyer me afatin e përcaktuar prej 6 muajsh./Prishtinapress/