Deputet e opozitës kanë thënë se është e pakuptimtë që liberalizimi i vizave të kushtëzohet me procesin e dialogut me Serbinë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka thënë se është e padrejtë që kosovarët të zhgënjehen në vend se të gëzojnë lëvizjen e lirë.
Deliu-Kodra shpreson që në takimin e radhës me 9 dhjetor të Këshillit të ministrave, Kosova të ketë shansin final dhe qytetarët të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Sipas saj, tashmë Kosova ka përmbushur kriteret dhe i mbetet BE-së që të konfirmojë angazhimin shumëvjeçar të institucioneve.
“Para së gjithash është e pakuptimtë që procesi i liberalizimit të vizave që ka qenë një proces i gjatë ku Kosova ndër vite ka bërë progres të kushtëzohet me çdo proces tjetër edhe me procesin e dialogut për të cilin ka pasur diskutime së fundi, por edhe me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Janë procese të ndara dhe është e padrejtë që Kosova të vendoset në dilemën nëse progresi në dialog duhet të përkthehet në regjim të lirë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Ne kemi përmbushur 95 kritere të cilat kanë qenë të parashtruara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe natyrisht pritjet tona kanë qenë që konform punës disa vjeçare që kanë bërë institucionet ne të kemi lajme pozitive”.
“Prandaj është krijuar një momentum që kjo pritje e qytetarëve do të merr fund. Por ka pasur zhgënjim të qytetarëve. Dua të beson që në muajin dhjetor kur është takimi i ardhshëm i Këshillit të ministrave me datën 9 dhjetor do ta kemi një shans të re për të konfirmuar që BE beson në vlerat e një shteti, i cili po bënë progres për t’i përmbushur këto kritere. Unë nuk mund të flas për afate. Ky kriter varet nga BE prandaj ne kemi kryer obligimet për të tjera i mbetet BE që të na konfirmojë që ky angazhim duhet të përkthehet në një vendim të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës”.
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj tha se po i bëhet padrejtësi Kosovës në këtë proces.
Tutje, sa i përket çështjes së dialogut, Kadriaj tha se Qeveria është jotransparente dhe se kryeministri Kurti duhet të raportojë në Kuvend.
“Çështja e liberalizimit te vizave ka pasur kushte dhe kritere dhe dialogu janë dy çështje ndaras. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe nuk kanë të drejtë as ata me përcaktuar kushte dhe kritere shtesë sa i përket çështjes së liberalizimit. Kjo është një padrejtësi që po i bëhet Kosovës ku ende po mbahen pa liberalizim të vizave. Kjo Qeveri është tepër jo transparente sa i përket procesit të dialogut”.
“Kurti duhet te vijë të raportojë edhe në Komision edhe në kuvend sepse me iniciativë të Vetëvendosjes në Kuvend është miratuar një rezolutë e cila obligon secilën negociator që pas çdo raundi të debatit dhe diskutimit të vijë të raportojë në kuvend dhe kjo gjë nuk po ndodh. Është tërësisht proces i mbyllur dhe jo transparent”, tha Kadriaj./Prishtinapress/